Mbyllet zyrtarisht epoka e Arjen Robben dhe Franck Ribery te Bayern Munchen.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Twitter, klubi gjerman konfirmoi largimin e të dy futbollistëve nga skuadra në fund të sezonit pas një dekade që i pa ata protagonistë absolutë për skuadrën bavareze.
“Lamtumira nuk do të jetë e lehtë, por nuk duhet të harrojmë atë çfarë kemi arritur së bashku duke fituar 20 tituj”, deklaron Ribery në faqen e tij zyrtare.
Ndërsa Rummenigge u shpreh: “Franck dhe Arjen janë futbollistë të shkëlqyer. Bayern u detyrohet shumë të dyve dhe do të përgatisë për ta një festë të madhe lamtumire. Janë maestrot e dhjetëvjecarit më fitues në historinë e klubit”.
Robben dhe Ribery luajnë bashkë prej 10 vitesh dhe jo më kot ata njihen në botën e futbollit edhe si “Robbery”. Me francezin dhe holandezin në radhët e tij, Bayern Munchen ka fituar tituj të shumtë, mes të cilëve edhe Ligën e Kampioneve në vitin 2013.
Arjen Robben ka 19 tituj të fituar me fanelën e skuadrës bavareze, ndërsa 22 janë trofetë e fituar nga Ribery. Holandezi ka 305 ndeshje me Bayern e 143 gola, ndërsa francezi 414 ndeshje me 121 gola. Megjithatë, edhe ata kanë pasur momente të vështira, madje kanë menduar edhe largimin nga Bavaria, por kanë ditur të rezistojnë dhe tani duket se ka ardhur vërtet koha që ata të lënë klubin legjendar gjerman.
Bayernit tani i duhet që të gjejë zëvendësuesit dhe në fakt e ka bërë këtë edhe më parë duke sjellë emra si Shaqiri, Goetze, deri te Douglas Costa, por askush nuk ishte në gjendje t’ia merrte vendin të famshes “Robbery”.