Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi sot mbylljen e spitalit Covid 2 të “Shefqet Ndroqi” dhe rikthimin e tij në funksionimin normal për pacientët.
“Nga sot spitali “Shefqet Ndroqi” do t’i rikthehet funksionit të tij normal, pra duke iu dedikuar pacientëve që kanë patologjitë që trajton ky spital, duke filluar nga ato pulmonare deri te shërbimi i kirurgjisë, hemodinamikës dhe shërbimet e tjera. Janë rreth 60 pacientë me Covid-19 që janë trajtuar në këtë spital dhe unë dua t’ju falënderoj për gjithë angazhimin, punën e mjekëve infermierëve, të gjithë stafeve mjekësore dhe një falënderim të veçantë për shërbimin e reanimacionit, që ka trajtuar pacientë të sëmurë rëndë dhe sigurisht me dedikim edhe sakrificë maksimale, me profesionalizëm ia ka dalë për të përballuar këtë sëmundje, që për të thënë të vërtetën, ishte e vështirë”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë lajmëroi edhe rifillimin e ndërhyrjeve të planifikuara nga dita e sotme.
“Në strategjinë e rihapjes, edhe sistemi shëndetësor po kthehet gradualisht në normalitet. Nga sot rifillojnë konsultat e specializuara, por mbi të gjitha ndërhyrjet e planifikuara të kirurgjisë, i rikthehet normalitetit”, nënvizoi ministrja.