Aktualitet Mbylli në banesë gruan dhe e mbikëqyrte 24 orë me kamera, arrestohet...

Mbylli në banesë gruan dhe e mbikëqyrte 24 orë me kamera, arrestohet 34-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës njofton se ka parandaluar një tjetër ngjarje të rëndë brenda familjes, teksa ka arrestuar një 34-vjeçar, i cili mbylli në banesë bashkëshorten e tij, të cilën e mbikëqyrte gjatë gjithë kohës me kamera, por ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj saj. Kështu, në pranga ka rënë shtetasi A.M., banues në Kodër Institut në Tiranë.

“Tiranë – Falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale, në një familje. Mbylli në banesë, bashkëshorten e tij, të cilën e mbikëqyrte me kamera, si dhe ushtroi dhunë ndaj saj, kapet dhe vihet në pranga 34-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas informacionit të marrë se një shtetas kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, në monitorimin e kamerave që i kishte instaluar brenda në banesë, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 u arrestua shtetasi A. M., 34 vjeç, banues në Kodër Institut. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 34-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, të cilën e mbante të mbyllur në banesën e tyre ku kishte montuar kamera për të monitoruar lëvizjet e saj.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.”, thuhet në njoftimin e policisë së Tiranës.