Josef Fritzl, austriaku që e mbajti vajzën e tij të burgosur në bodrum për 24 vjet dhe kishte shtatë fëmijë me të, do të mund të largohet nga burgu me kusht për t’u transferuar në një azil pleqsh.
Gjykata në Krems të Austrisë mori vendimin, këtë të enjte, pasi sipas një raporti psikiatrik, 88-vjeçari vuan nga demenca dhe nuk paraqet më rrezik për publikun. Prokuroria mund ta apelojë vendimin e gjykatës brenda 14 ditëve.
Kujtojmë se rasti i bujshëm doli në dritë në vitin 2008, kur vajza e Fritzl, Elisabeth, asokohe 42 vjeçe, përfundoi në urgjencë dhe më pas i tha policisë se ishte mbajtur rob nga babai i saj për shumë vite.
Fritzl u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2009 për vrasjen e njërit prej djemve të tij nga pakujdesia, si dhe për përdhunim, incest dhe skllavërim të vajzës së tij.
Sipas mediave të huaja, burri ndërkohë ka ndërruar emrin, ashtu si edhe vajza e tij që jeton në një vend të panjohur në Austri, ndërsa shtëpia ku ndodhën këto ngjarje të tmerrshme, është shembur.