Në rrugët e Tiranës njoftimet jepen me qira janë bërë të zakonshme së fundmi. Agjentët e pasurive të paluajtshme pohojnë se ka pasur tkurrje të kërkesës nga ana e bizneseve në sektorin e tregtisë, gjë që ka sjellë rritje të kohëzgjatjes së periudhës që një pronë rri bosh.
Po ashtu edhe pronat që janë dhënë para këtij viti për të zhvilluar aktivitete të lojërave të fatit po jepen me vështirësi me qira. Prej 1 janarit 2019 hyri në fuqi ligji i cili mbylli lojërat e fatit. Në Shqipëri përllogariteshin rreth 4000 NIPT të cilat ushtronin këtë aktivitet. Agjentët e pasurive të paluajtshme shpjegojnë se këto biznese kishin zënë pikat më të mira ku zhvillonin aktivitetin dhe kishin rritur çmimin në tregun e qirave të dyqaneve.
Tkurrje ka pasur edhe të bizneset në sektorin e tregtisë. Ekonomia shqiptare po e ndryshon gradualisht strukturën e saj, teksa të vegjlit po bien dhe të mëdhenjtë po fuqizohen. Hapja e qendrave të mëdha tregtare dhe e rrjeteve të supermarketeve po nxjerr jashtë loje bizneset e vogla, duke çuar në mbylljen e dyqaneve të vogla.
Të dhënat e Anketës Strukturore të Ndërmarrjeve të INSTAT, që i referohen vitit 2017, tregojnë se ndërmarrjet mikro me 1 deri në 9 të punësuar, u reduktuan në numër, ulën shitjet, të punësuarit dhe vlerën e shtuar në krahasim me vitin e mëparshëm. Tendenca ka vijuar dhe në 2018-n, ku të dhënat e tatimeve tregojnë se është përshpejtuar ritmi i subjekteve që kalojnë në status pasiv. Tkurrja e biznesit të vogël është reflektuar edhe te kërkesa e këtyre të fundit për qira.
Xheni Jahja nga Tirana Real Estate thotë se në ndryshim nga bizneset që merren me tregti, bizneset e shërbimeve dhe kërkesa për zyra ka qenë më optimiste.
“Vihet re se për ambientet e biznesit më së shumti ka kërkesë për zyra,”- thotë Jahja për Monitor.
Ndërsa kërkesa e biznesit po vjen në rënie, oferta po shtohet. Sipas Colliers International, me ndërtimin e kullave në Tiranë, një pjesë e të cilave janë të projektuara për zyra, stoku i tyre parashikohet të rritet me rreth 80 mijë m2, ose 74% më shumë, duke arritur në gati 190 mijë metra katorr (bëhet fjalë për sipërfaqen e zyrave në qendrat kryesore në Tiranë, ndërsa është praktikisht e pamatshme oferta që vjen nga apartamentet të shpërndara kudo në kryeqytet që kanë shërbyer në vite si burim të ardhurash për familjet apo individët që kanë zgjedhur t’i japin me qira ato). Kjo rritje e ndjeshme, gati dyfishim, sipas Stela Dhami, nga Colliers International, pritet të riformatojë tërësisht tregun e qiradhënies së zyrave, duke shtuar presionin për uljen e çmimeve, zhvendosjen e kompanive drejt ambienteve më të strukturuara dhe rënien e interesit për zyrat-apartamente.
Dhami thotë se është e pashmangshme që me rritjen e stokut të zyrave do të bjerë interesi për apartamentet, po ashtu edhe çmimet. Kjo do të jetë goditja e dytë, pas mbylljes së pikave të basteve, që shtuan ofertën e sipërfaqeve të lira në kryeqytet dhe po ushtrojnë presion për rënien e qirave.
Pronat e shtrenjta jepen më vështirësi
Ajo çka po ndodh së fundmi në tregun e qirave është ngërçi që kanë apartamentet që jepen me qira me çmime mbi mesataren e tregut. Këto prona sipas Jahjas rrinë për një kohë më të gjatë të marketuara. Kjo ka ardhur kryesisht nga tkurrja e kërkesës për shtëpi me qira nga të huajt.
Agjentët e pasurive të paluajtshme shpjegojnë se të huajt përbëjnë klientët kryesore që janë të gatshëm që të paguajnë qira në vlera të konsiderueshme, ndërsa te shqiptarët rastet janë më sporadike, apo vijnë nga familje apo individë që kërkojnë shtëpi me qira për periudha më të shkurta se një vit. Pjesa tjetër e qiramarrësve shqiptar kërkon qira me çmime të përballueshme, kryesisht ku qiraja mujore është më e ulët se një këst kredia.
Për sa i përket çmimeve agjentët e pasurive të paluajtshme thonë se kanë vënë re se ka pasur disa tendenca për t’i rritur ato nga pronarët, edhe pse ky vendim shkon ndesh me ecurinë e kërkesës. Jahja shpjegon se qiradhënësit po investojnë në prona në mobilime më moderne dhe duke i rihedhur në tregun e qirasë me çmime më të larta.
Sipas publikimeve të agjencive të paluajtshme ofertat e shtëpive me qira, të cilat vijojnë që të mbeten bosh, variojnë nga 400 euro deri në mbi 1000 euro për prona të veçanta me mobilim modern. Çmimet e qirave fillojnë nga 200 euro në zonat më larg qendrës, ndërsa mesatarja është 300 deri në 350 euro./Monitor