Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë shënuar 69 raste të reja me COVID-19, ndërsa 4 qytetarë, mes tyre edhe një mjek, kanë humbur jetën.
Vdekja e mjekut të QSUT, Arjan Pushi shënon edhe rastin e parë të fatalitetit në radhët e bluzave të bardha në vendin tonë që nga nisja e pandemisë.
Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero tha për ilva Now se vdekja e kolegut të tyre ishte një lajm shokues për të gjithë dhe vërtetoi atë që është thënë gjithmonë, se ky virus është shumë i rrezikshëm dhe nuk përjashton askënd.
Ai theksoi se ndryshe nga faza e parë e këtij virusi, kur ishte e nevojshme mbyllja e detyruar e qytetarëve apa karantinimi, në fazën e dytë janë 2 gjëra që duhen pasur gjithmonë parasysh, të cilat sipas tij nëse zbatohen, do të bëjnë të mundur vënien nën kontroll të virusit për 1 javë deri në 10 dirë.
“Faza e dytë e kësaj epidemie do mirëkuptim dhe bashkëveprim; nga përgjegjësia e qeverisë kalon në përgjegjësi të të gjithë qytetarëve në respektim të dy masave fare të thjeshta. Kjo pandemi ishte historike dhe na dha një mësim historik; distanca dhe mbajtja e maskës, krahas higjienës, janë të mjaftueshme për ta mbajtur nën kontroll këtë epidemi. Atje ku janë respektuar këto masa rezultatet kanë qenë shumë të mira.
Do t’ju lutesha të gjithë qytetarëve që edhe sot pasdite, në darkë apo nesër në mëngjes të nisin të respektojnë distancën dhe vendosjen e maskës dhe për 1 javë apo 10 ditë epidemia vihet nën kontroll”, tha mjeku.
Pipero e cilësoi të nxituar vendimin e BE për të veçuar Shqipërinë nga lista e vendeve të vizitueshme, duke u shprehur i bindur se ky vendim është i pabazuar në të dhëna reale.
“Situata tek ne nuk është në atë nivel që rrezikon shëndetin e qytetarëve në vendet fqinje. Ne kemi një numër shumë të vogël, në raport me komunitetin jashtë Shqipërisë. E them si specialist i shëndetit publik nuk rrezikohet shëndeti i askujt pse vjen në Shqipëri.
Mjafton të mbajmë maskën e të ruajmë distancën. Tek ne, për shkak të strategjisë së gjurmimit të rasteve dhe tamponimit edhe të kontakteve, ky numër del relativisht i madh. Në vendet e tjera tamponi nuk i bëhet kontakteve, vetëm rasteve klinike.
Ne kemi qenë të sinqertë në shifrat që kemi dhënë, pasi në këtë situatë e vërteta është më rëndësishme se statistika”, tha mjeku infeksionist.
Pipero këshilloi se në këtë situatë kur dielli, ajri, gjumi, ushqimi i shëndetshëm janë të rëndësishëm për të mundësuam imunitetin, secili mund të bëjë pushimet që ka planifikuar në det, por gjithmonë duke u ruajtur e duke ruajtur të tjerët.
“Duke qenë se të gjitha studimet sugjerojnë se virusi nuk transmetohet përmes ujit, deti është i shëndetshëm. Iu them njerëzve t’i bëjnë pushimet, por me kusht që hotelet dhe vetë qytetarët të zbarojnë protokollet e sigurisë”, theksoi ai.