Shqipëria është një prej dy vendeve europiane të cilat furnizojnë Bashkimin Europian dhe Europën me mallra të falsifikuar, thotë një raport i fundit i Zyrës Europiane të Pronësisë Intelektuale dhe Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim.
Në raport thuhet qartë mes rreshtave se, Shqipëria së bashku me Ukrainën, Egjiptin dhe Marokun janë katër shtetet e tranzitit të këtyre mallrave drejt Europës. Sipas raportit, 7% e mallrave të importit të Bashkimit Europian, janë produkte të falsifikuara. Mesa duket, Shqipëria luan një rol kyç në këtë shifër.
Pozicioni i favorshëm gjeografik, pra të qenit urë lidhëse mes Azisë dhe Europës, por edhe dalja në det, e favorizojnë së tepërmi këtë lloj tregtie të paligjshme në vendin tonë. Raporti i ka vendosur edhe një koeficient shteteve, për të përcaktuar prirjen e secilit për të eksportuar dhe importuar mallra të falsifikuar. Sa i përket eksportit në total, pra drejt të gjitha vendeve të botës, Shqipëria rezulton të ketë një koeficient në 0.187, me 1-shin që tregon prirje maksimale dhe që e ka Kina.
Në Europë vetëm Turqia dhe Greqia kanë një rrezik më të lartë. Sa i përket eksportit të këtyre produkteve vetëm drejt Bashkimit Europian, koeficienti ngjitet ndjeshëm, në 0.494, gjithashtu pas Turqisë dhe Greqisë. Gjithsesi, të dhënat tregojnë një tendencë në rënie të ndjeshme sa i përket këtyre dy koeficientëve gjatë viteve të fundit.
Këto të dhëna vijnë pas atyre të një tjetër raporti të publikuar dy vite më parë që tregonte gjithashtu se, Shqipëria jo vetëm eksporton drejt Europës mallra të falsifikuar, por se përmbush edhe një pjesë të nevojës së tregut të brendshëm me këto lloj produktesh. Të dhënat tregojnë se Shqipëria është vetëm një pikë kalimi e këtyre mallrave dhe jo një vend origjine./SCAN