Avokati mbrojtës i Charles McGonigal, ish-kreut të kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, i cili është akuzuar për fshehjen e 225,000 dollarëve që dyshohet se i ka marrë nga një ish-punonjës i inteligjencës shqiptare deklaroi se ai pret që çështja kundër klientit të tij të zgjidhet me marrëveshje pa dalë në gjyq.
Ish-zyrtari i lartë i FBI-së, i cili doli në pension në vitin 2018, u akuzua në janar në dy çështje të veçanta në Nju Jork dhe DC dhe për skemën e supozuar se kishte punuar me një oligark rus të sanksionuar, ndonëse ishte larguar nga detyra.
Në një konferencë për shtyp, avokati i McGonigal, Seth DuCharme vuri në dukje se të pandehurit kanë dy zgjedhje, të pranojnë fajin ose të shkojnë në gjyq dhe shtoi se ka një “shans që çështja do të zgjidhet pa pasur nevojë të shkohet në gjyq dhe kjo gjë do të konfirmohet pas Ditës së Punës.
Komentet e DuCharme sugjerojnë se prokurorët dhe avokatët e McGonigal mund të punojnë për një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë, megjithëse pala e mbrojtjes është shumë e interesuar të shihte pjesën tjetër të provave të akuzës, që përfshijnë dokumente të mbrojtjes kombëtare që ende kërkojnë disa redaktime.
Sipas CNN, është e paqartë se si do të dukej një marrëveshje për pranimin e fajësisë midis prokurorëve dhe McGonigal dhe cilat akuza do të pranojë ky i fundit.
Gjyqtarja Colleen Kollar-Kotelly caktoi një seancë tjetër për këtë çështje 13 shtator.