Më 1 janar Franca do të marrë presidencën e radhës të Bashkimit Europian.
Kjo përgjegjshmëri e re për Francën, vjen në një kohë kur presidenti francez Emmanuel Macron, pritet të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme në prill.
“Nëse do të më duhej të përmblidhja me një fjali qëllimin e kësaj presidence, e cila do të zgjasë nga 1 janari deri më 30 qershor, do të thosha se ne duhet të kalojmë nga një Evropë bashkëpunimi brenda kufijve tanë në një Evropë të fuqishme në botë, plotësisht sovrane, e lirë nga zgjedhjet e saj dhe zotëruese e fatit të saj”, tha Macron.
Pak javë më parë ministri francez për Evropën dhe Punët e Jashtme, Jean Yves Le Drian dhe homologu i tij slloven Anze Logar u takuan në Paris, me rastin e dorëzimit të presidencës së Këshillit të BE-së.
Dy ministrat Logar dhe Le Drian ranë dakord mes të tjerash për vijimin e procesit të zgjerimit me Ballkanin Perëndimor, që sipas tyre përbën një stimul të rëndësishëm që vendet kandidate të implementojnë reformat.