Dr. Bledar Kurti
– Viti 1150 para Krishtit:
Gideoni, kreu i ushtrisë prej 32 mijë vetash, pyeti Zotin: si mund ta fitoj betejën? Zoti iu përgjigj: Zbrite ushtrinë te uji. Të gjithë ata që do të shtrihen barkas e do pinë ujë me gjuhë, siç lëpijnë qentë, do t’i ndash nga ata që do të pinë duke marrë ujin me dorë e me sytë nga horizonti.
Dhe numri i atyre që e pinë ujin nga grushti ishte 300. Të gjithë të tjerët pinë duke u shtrirë barkazi si qen dhe Gideoni i largoi.
E kështu me ata 300 luftëtarët fisnik, beteja u fitua kundër ushtrisë armike me 135 mijë veta.
– Rreth 600 vjet më vonë – viti 480 para Krishtit:
300 spartanë, nën drejtimin e Leonidas, zmbrapsën ushtrinë persiane me mbi 100 mijë ushtarë në Betejën e Thermopoles (greqisht për “portat e nxehta.”)
Ushtria perse u përplas e mësym mbi portat e nxehta ashtu siç përplasen dallgët e oqeanit me shkëmbinjtë në breg të detit, por spartanët i zmbrapsën.
Kserksi, i frustruar nga përparimi i ngadaltë i ushtrisë së tij, dërgoi njësitë e tij të famshme, të njohura si “Të Pavdekshmit”, por as këta të pavdekshëm nuk ia dolën dot.
Pas tradhtisë së Ephialtes, për një kalim të fshehtë, Mbreti Leonidas i Spartës mori vendimin për të vazhduar e mbrojtur kalimin me 300 ushtarët e tij elitë. Burrat luftuan derisa u thyen shtizat. Pasi u thyen shtizat, ata luftuan derisa u thyen shpatat. Dhe sapo shpatat e tyre u thyen, ata përdorën mburojat e tyre si armë derisa më në fund u vranë nga mijëra shigjetat e lëshuara mbi ta.
Edhe sot arkeologët vazhdojnë të gjejnë maja shigjetash në grykën e Termopoles.
Historia është mësuesi më i mirë për çdo epokë. Nuk ka asgjë të re nën diell. 300 luftëtarët e Gideonit dhe 300 spartanët e Leonidas shkruan historinë duke u transmetuar qindra e qindra brezave të mëvonshëm mesazhin se asgjë nuk është pamundur. Se pengesat mund të kapërcehen sado të mëdha të jenë ato, se vendi mund të bëhet pavaresisht çdo vështirësie, se betejat ushtarake, elektorale, ideore, transformuese, progresive, mund të fitohen, por vetëm e vetëm me njerëz fisnik, që sytë i mbajnë nga e ardhmja e që nuk përkulen barkazi e lëpijnë si qen.
Lëpirësit, në çdo parti, institucion, organigramë shtetërore, kulturore e shoqërore, kanë humbur betejat e vendit tonë për zhvillim e begati. 300 shqiptarë me integritet do e ndryshonin dhe shkruanin historinë e këtij vendi. Ka ndodhur më parë në botë, ka ndodhur edhe te ne në të kaluarën, urojmë të ndodhë sa më shpejt edhe në të ardhmen.