Aktualitet Me 331 mijë euro në bagazh dhe tavanin e ‘Benzit’, arrestohet 36-vjeçari...

Me 331 mijë euro në bagazh dhe tavanin e ‘Benzit’, arrestohet 36-vjeçari në Muriqan

Një 36-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë në pikën kufitare në Muriqan.

Policia bën të ditur se në automjetin e tyre tip ‘Mercedes Benz’, në dy hapësira të modifikuara (në pjesën e tavanit dhe të bagazhit të automjetit), u gjetën 331 000 euro, që këta shtetas po tentonin t’i futnin ilegalisht në Shqipëri.

Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 celularë.

Njoftimi i Policisë:

PKK Muriqan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Zinxhiri”, për goditjen e një rasti të mosdeklarimit të parave që dyshohet janë përfituar nga veprimtaritë kriminale. 

Për këtë rast u arrestua shtetasi F. H., 36 vjeç, banues në Kryemadh, dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. M., 35 vjeç, banues në Lezhë.  

Gjatë operacionit, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, shërbimet e Policisë kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin tip “Mercedez Benz” me drejtues shtetasin F. H. dhe pasagjer shtetasin P. M.  Në dy hapësira të modifikuara (në pjesën e tavanit dhe të bagazhit të automjetit), u gjetën 331 000 euro, që këta shtetas po tentonin t’i futnin ilegalisht në Shqipëri. 

Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe 2 celularë.

Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.