A është zhdukur Vis Martinaj? Gazetarja: Ekziston mundësia që të ketë inskenuar ngjarjen
Gazetarja Klodiana Lala, në një intervistë për Euronews Albania tha se ekziston mundësia që Ervis Martinaj të ketë inskenuar ngjarjen për të shmangur kundërshtarët e ti dhe për t’i shpëtuar policisë.
Megjithatë Lala theksoi se ka dyshime që 40-vjeçari të jetë rrëmbyer dhe zhdukur duke qenë se kundërshtarët e tij janë me potencial të lartë dhe me financa shumë të mëdha.
“Ekziston mundësia që Ervis Martinaj të ketë inskenuar ngjarjen për të shmangur kundërshtarët dhe për t’i shpëtuar policisë. Nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që të jetë rrëmbyer dhe zhdukur për faktin se kundërshtarët e tij janë kundërshtarë me potencial të lartë dhe me financa shumë të mëdha”, tha Lala.
Sipas gazetares Martinaj nuk ka kundërshtarë vetëm ata që dimë ne dhe familjarët, po ka dhe njerëz që janë të botës së biznesit apo dhe më thellë.
Sakaq gazetarja theksoi se nëse vërtetohet se Martinaj është zhdukur, kjo gjë sipas saj nuk është bërë pa mbështetjen shtetërore.
“Nëse të nesërmen policia dhe prokuroria do konfirmojë pistën e zhdukjes së Martinajt, peshkut të madh të botës krimit nuk mund të bëhet pa mbështetjen shtetërore dhe nënkuptoj këtu institucionet ligjzbatuese”, u shpreh gazetarja.
Lala tha se për herë të fundit i shumëkërkuari Ervis Martinaj është parë më 5 Gusht, në orën 21:15 në një hotel në Durrës.
Lala bëri me dije se Martinaj atë natë së bashku me një vajzë, me të cilën dyshohet se kishte marrëdhënie intime, kanë qëndruar në hotel dhe një ditë më pas janë larguar nga aty nën shoqërinë e Jeton Lamit.
“Në datën 5 gusht në orën 21 e 15 minuta me një mjet “Audi” Ervis Martinaj, Jeton Lami së bashku me një vajzë shumë të njohur, pra figurë publike, janë shfaqur në zonën e një hoteli shumë të njohur në Durrës. Lami ka zbritur nga automjeti, ka shkuar te recepsioni, ka pronotuar dhomën për të qëndruar Martinaj dhe vajza që kishte një marrëdhënie intime me të. Ata janë larguar në orën 10 e ca nga aty.”, tregoi gazetarja.