Mazhoranca dhe opozita janë bërë bashkë në votimin e projektdeklaratës për kërkesën e heqjes së ligjit të luftës nga Greqia. Në momentin e votimit, të pranishëm në seancë plenare kanë qenë 96 deputetë, të cilët kanë votuar pro kësaj projektdeklarate.
Shpëtim Idrizi shpjegoi në Kuvend se pse duhet bërë një deklaratë për heqjen e ligjit të luftës që Greqia mban me Shqipërinë që nga viti 1940.
“Me Italinë çështja u zgjidh në vitin 1947 me Traktatin e Paqes në Paris, ndërsa me Gjermaninë u hoq gjendja e luftës në mënyrë të njëanshme. Po me Shqipërinë? Është i njëjti ligj ku përcaktohen si shtete armike Italia, kolonitë e saj, tokat perandorake dhe Shqipëria. Vetëm pjesa e Shqipërisë ka mbetur pezull. Ligji në fjalë padyshim që është absurd. Ligji i luftës dhe sekuestro mbi pronat e shqiptarëve vazhdon të mbetet në fuqi që nga viti 1940. Kufizimet e të drejtave themelore të individëve janë të qarta. Jemi të vonuar me këtë deklaratë parlamentare sepse jemi këtu pas 84 vitesh. Deklarata është instrument i qëndrimeve politike nga ana e Parlamentit, duke u shprehur për një çështje me interes kombëtar”, tha Idrizi.
“Mbajtja e këtij ligji është fyerje për dinjitetin dhe sovranitetin tonë. I takon këtij Parlamenti që të tregojë se Shqipëria është vend paqedashës dhe i pavarur. Kjo deklaratë kërkon zyrtarisht nga Parlamenti i Greqisë heqjen e ligjit të luftës dhe pasojave juridike e pronësore. Ky ligj absurd ngjan me ato minat e fshehura dhe të ndryshkura të Luftës së Dytë Botërore, që nga pakujdesia mund të shpërthejnë çdo moment. Prandaj duhet çaktivizuar”, shtoi Idrizi.
Para se kërkesa të hidhej për votim, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi e ka quajtur ligjin e luftës të Greqisë ndaj Shqipërisë një “budallallëk historik”, teksa ka thënë se kanë kërkuar që të shfuqizohet për t’i dhënë një tjetër dinamikë fqinjësisë Shqipëri-Greqi.
Bëhet fjalë për një ligj që daton që prej 10 Nëntorit të 1940-ës, kohë kur u shpall dekreti mbretëror mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë. Asokohe të gjitha pasuritë e shqiptarëve në Greqi u sekuestruan dhe filluan të administrohen nga shteti grek.