Policia ka lënë të lirë pas shoqërimit Endrit Doklen, emri i të cilit u ekspozua së fundmi nga dëshmia e Nuredin Dumanit për një konflikt me të zhdukurin Ervis Martinaj. 39-vjeçari u shoqërua pasi lëvizte në një automjet së bashku me një të kërkuar për posedim armësh pa leje.
Pasditen e së shtunës Endrit Dokle lëvizte me një Mercedes-Benz S-class të blinduar me targa bullgare. Ata u ndaluan në bulevardin “Migjeni”. Dokle ishte udhëtonte bashkë me bashkëshorten dhe fëmijën e mitur.
Mjeti luksoz drejtohej nga Gentian Reçi, ndërsa pasagjer në vendin e parë ishte Fatjon Murati. Ky i fundit ishte i shpallur në kërkim nga policia prej muajit korrik.
Ai rezultonte bashkëpunëtor i shtetasit Kristjan Gjini i arrestuar gjatë operacionit “Ruger”, ku në dy ambiente të marra me qira në një kompleks rezidencial, u zbuluan armë të ndyshme, silenciator, maska dhe radio policie. Në këtë operacion u ndalua edhe një vajzë.
Pas kontrollit, bashkëshortja e Dokles bashkë me fëmijën janë larguar me një taksi. Ndërsa Dokle bashkë me Gentian Reçin u shoqëruan në drejtorinë e policisë, ku pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë.
Endrit Dokle u lirua nga burgimi i përjetshëm në janar të vitit 2020 nga gjyqtarja e Krujës Enkeleda Hoxha. Sipas dëshmisë së të penduarit Nuredin Dumani, Ervis Martinaj ishte gati të paguante 500 mijë euro për ta ekzekutuar atë.