Aktualitet “Më dëmtuan apartamentin”, pronari në Sarandë merr peng 6 pushuesit italianë (VIDEO)

“Më dëmtuan apartamentin”, pronari në Sarandë merr peng 6 pushuesit italianë (VIDEO)

Një 59-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga policia e Sarandës, pasi ka marrë peng 6 pushues italianë, të cilët dëmtuan banesën e dhënë me qera prej tij.

Policia bën me dije se 59-vjeçari iu ka hequr lirinë për 1 orë 6 pushuesve me pretendimin se këta të fundit i kishin dëmtuar disa pajisje në apartamentin e disponuar prej tij.

Policia ka bërë të mundur arrestimin e 59-vjeçarit, si dhe ka liruar pushuesit e bllokuar në banesë prej tij.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.

“Pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 1, një shtetas iu kishte hequr lirinë, në mënyrë të kundërligjshme, disa shtetasve, në një apartament, shërbimet e Komisariatit te Policisë Sarandë kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendngjarje, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe arrestimin e autorit.

Si rezultat i veprimeve të menjëhershme të shërbimeve të Policisë, është vënë në pranga shtetasi J. A., 59 vjeç, banues në Prishtinë, si dhe është bërë lirimi i shtetasve, nga apartamenti”, njofton policia.