Në të njëjtën ditë kur Gjykata e Tiranës la në burg Majlinda Dehimën, pasi akuzohet se i ka thyer këmbës një vajze 3 vjeçe në kopshtin “Stinët”, ku ishte e punësuar si edukatore, një rast i ngjashëm është denoncuar në policinë e Tiranës.
Në Komisariatin e Policisë Nr. 3 në kryeqytet është paraqitur nëna e një djali të mitur, e cila ka denoncuar drejtoreshën e shkollës dhe mësuesen kujdestare të të birit, se kanë ushtruar dhunë ndaj tij.
“Shtetasja I. A., 41 vjeçe, banuese në Tiranë dyshon se në muajin tetor, mësuesja kujdestare dhe drejtoresha e shkollës që frekuenton djali i saj i mitur, kanë ushtruar dhunë ndaj tij”, sqaron policia.
Autoritetet më tej bëjnë me dije se një grup hetimor është ngritur dhe po kryhen të gjitha veprimet procedurale, për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.