Një taksist është arrestuar nga policia në Pogradec, pas informacioneve të marra se do të trafikonte një sasi lënde narkotike drejt Maqedonisë së Veriut.
Taksistit me inicialet M. M., 51 vjeç, banues në Paskuqan, iu gjetën në taksinë e tij, 2 çanta me lëndë narkotike kanabis dhe armë zjarri me municion, të cilat do t’i transportonte drejt shtetit fqinj.
“Në zbatim të masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kufitare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec dhe ata të Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe të Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Taksisti”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
-M. M., 51 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se një shtetas po lëvizte në dalje të qytetit të Pogradecit, me një automjet taksi, me të cilin dyshohej se mund të trafikonte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, lëndë narkotike dhe armë zjarri, koordinuan veprimet dhe tek vendi i quajtur “Lumi i Tërhanit”, Pogradec, bënë ndalimin e këtij automjeti, me drejtues shtetasin M. M.
Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjetën 8.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e futur në dy çanta, dhe 1 armë zjarri automatik model “Scorpions”, me krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale për këtë rast u kryhen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, të cilët po vijojnë punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale”, thuhet në njoftimin e policisë.