Izraeli ndodhet në kaos! Dhjetëra persona, raportojnë mediat e huaja, janë kapur peng nga luftëtarët e Hamasit gjatë fundjavës.
Situata atje është mjaft komplekse, e mes njerëzve ‘të kapur rob’, janë fëmijë e të moshuar. Mësohet se në mesin e tyre ka dhe shtetas të huaj.
“Al Qassam”, grupi i armatosur i Hamasit ka paralajmëruar se sulmet në formë hakmarrjeje të Izraelit mund të prekin pengjet. Zëdhënësi i këtij grupimi, Abu Obaida tha përmes një audio-mesazhi se forcat e tyre janë të pranishme në të gjithë Rripin e Gazës.
Nga krahu tjetër, nënkoloneli Jonathan Conricus i Forcave Mbrojtëse të Izraelit ka deklaruar që ‘është e paprecedentë në historinë e vendit që kaq shumë shtetas izraelitë të jenë në duart e një organizate terroriste.’ Kjo pasi sipas tij, kanë kaluar plot 17 vite që kur një ushtar izraelit u mor peng nga pala tjetër, duke shtuar se ky lloj konfrontimi nuk është parë që nga viti 1948.
Por, çfarë dihet deri më tani për pengjet e marra nga Hamasi?
Gjithçka nis me një festival muzikor që po mbahej pranë Rripit të Gazës. Qindra pjesëmarrës vrapuan të tmerruar teksa anëtarë të armatosur të Hamasit i ndiqnin nga mbrapa me automjete. Disa prej tyre u vranë e të tjerë u morën peng. Në internet qarkullojnë disa video të këtyre momenteve, por janë edhe dëshmitë e familjarëve të pengjeve ato që e faktojnë si ngjarje.
Mund të shihni më poshtë videon ku një grua izraelite dhe i dashuri i saj u rrëmbyen.
Bëhet fjalë për Noa Argamani në foton më poshtë:
Në video të tjera, shihet militantët me armë në duar e turma që thotë njëzëri ‘Allahu Akbar’.
Dy janë zonat kryesore të konfliktit, Be’eri dhe Ofakim.
Banorët në Be’eri dhe një komunitet tjetër në kufirin e Izraelit me Gazën, Nir Oz, janë shprehur për mediat ndërkombëtare se agresorët u shkojnë derë më derë dhe u bastisin shtëpitë e u marrin peng djemtë e rinj.
Një grua raportohet të ketë thënë për CNN: Djemtë më morën në telefon. Terroristët u flisnin arabisht dy fëmijëve të mi. Njëri 16 vjeç e tjetri 12, djali më i vogël u thoshte se nuk donte të shkonte me ta. Më pas linja u ndërpre, nuk e di se ç’ka ndodhur me ta.
Edhe një burrë thotë se gruaja e vajzat e tij janë rrëmbyer nga banda terroriste në Nir Oz.
Madje në një tjetër video në lagjen Shejaiya të Gazës shihet një grua që tërhiqet zbathur dhe futet në bagazhin e një Jeep-i, teksa duart ia kanë lidhur me kabllo pas shpine.
Forcat e Mbrojtjes në Izrael thonë se po përpiqen të përcaktojnë numrin e saktë të pengjeve të marra nga militantët e Hamasit, duke theksuar natyrën komplekse të situatës. Nga të dhënat e deritanishme vlerësohet se mbi 100 persona mund të jenë rrëmbyer.