Marseja është shtëpia e tij e dytë për ish-kapitenin e Kombëtares, Lorik Canën . Katër vjet si protagonist midis 2005 dhe 2009, pastaj kalimi te Sunderland, Galatasaray dhe në fund te Lazio.
Në Romë ai krijoi një familje pa harruar të kaluarën e tij. Loriku ka dhënë një intervistë të gjatë për mikrofonin e “Radiosei”, duke komentuar ndeshjen e Ligës së Europës midis dy ish skuadrave të tij që do të luhet të enjten.
Marseja: “Nuk do të jetë një ndeshje e lehtë, pasi grupi nuk është i njëjtë. Isha në Marsejë javën e kaluar për një ndeshje bamirësie, u kënaqa që pashë 30 mijë tifozë për një ndeshje bamirësie. Është një qytet i nxehtë që jeton me futbollin, unë jam rritur me atë ekip, kam qenë tifoz që kur isha 7 vjeç. Që kur u emërua Pablo Longoria president ekipi ka ide shumë të qarta, ata kanë një trajner si Sampaoli me të cilin shpenzojnë shumë energji. Ata lënë shumë hapësira, por kanë shumë cilësi në skuadër”.
Sfida me Lazion: “Marseja është një ekip që jep pak pika referimi, ata përpiqen të mbrohen dhe të sulmojnë me 7 lojtarë. Ky ekip mund të dëmtojë edhe në kundërsulm me një lojtar të vetëm. Lazio, nga ana tjetër, është shumë më e ekuilibruar, me Sarrin ka një lojë me shumë opsione. Kurrë nuk e humbasin ekuilibrin e ekipit. Unë e respektoj shumë Sarrin, nuk e njihja para se të mbërrija në Itali”.
Miqësia me Taren: “E para, Tare është shoku im, flas me të çdo javë. Ne rrallë flasim për punën, padyshim që flasim për futbollin, por mendoj se ai është më i përgatituri në rolin e tij si drejtor sportiv. Ai ka qenë në “Top 3” drejtuesit më të mirë sportiv gjatë 10 viteve të fundit. Ka arritur të bëjë disa gjëra fantastike me Lazion. Kur ka nevojë për informacion për ndonjë lojtar, unë e ndihmoj”, përfundoi Cana.