Kryesore “Me kë do luftojë Serbia? Kosova është Amerikë”, Rama: S’kam folur me...

“Me kë do luftojë Serbia? Kosova është Amerikë”, Rama: S’kam folur me Kurtin pas propozimit të draft-statutit të Asociacionit

Në një intervistë për gazetën ‘Nacionale në Kosovë’, Edi Rama sqaroi se draft-statuti i propozuar nga ai për zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi është bërë brenda të gjitha normave etike.

Ai sqaroi se nuk ka folur me Albin Kurtin, ndërsa shtoi se herë pas here komunikojnë me mesazhe private, jo vetëm për çështje zyrtare.

“Ky është një kontribut i Shqipërisë si shtet tjetër. Ne jemi vëllezër, por kemi dy shtete të ndryshme. Shqipëria ka shtetin e vet, Kosova ka shtetin e vet dhe Shqipëria në këtë rast është 100% në një linjë me Shtetet e Bashkuara, me Bashkimin Europian, me Francën dhe me Gjermaninë, me qëndrimin e asaj që po bën Kosova ose më saktë që po bëjnë autoritetet e Kosovës dhe Shqipëria kontributin e saj nuk mund ta japë në këtë proces përveçse duke qenë shumë etike në raport me aleatët. Nuk mundet dot që ne të bëjmë një rol hidh gurin dhe fshih dorën në sensin që t’i konsultojmë gjërat përpara dhe pastaj të bëjmë sikur s’i kemi konsultuar”, – u shpreh Rama.

I pyetur për një luftë të mundshme, ai tha se është gjëja e fundit që imagjinon, ndërsa sqaroi se për dijeni të atyre që e kanë harruar, Kosova është Amerikë.

“Kjo është gjëja e fundit që unë imagjinoj. Ka një fjalë që thotë kurrë mos thuaj kurrë, por unë dua të them kurrë. Për faktin se kush do luftojë në Kosovë? Do luftojë Serbia me Amerikën? Kosova është Amerikë. Sa për dijeni të atyre që kanë harru, Kosova nuk është ende tërësisht sovrane për sa kohë ka një ushtri të terë të huaj në territorin e vet, dhe për sa kohë nuk është e njohur ndërkombëtarisht nga të gjithë. Kështu që, çfarë do të bëj Serbia, do të sulmojë Amerikën?”, është shprehur Rama.