Politika Me kuaj dhe limuzinë, si u prit Rama nga Erdogan

Me kuaj dhe limuzinë, si u prit Rama nga Erdogan

Kryeministri Edi Rama është takuar këtë të mërkurë me Presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Për kreun e qeverisë shqiptare u zhvillua një ceremoni e kategorisë A, e cila iu rezervohet liderëve më të njohur të botës. Autoritetet turke vepruan sipas protokollit në raste të tilla, duke nxjerrë dhe skuadrat me kuaj në rrugë (dhe një limuzinë) në nderim të kryeqeveritarit nga Shqipëria, njëherësh duke mbajtur flamurin shqiptar,

Në momentin e takimit, Rama dhe Erdogan nuk shtrënguan duart për shkak të masave antiCovid.

Ministrat e pranishëm në Ankara në vizitën dyditore janë ajo e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku; Ministrja e Arsimit, Evis Kushi; Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu; Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Me Ramën ka udhëtuar edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Gent Gazheli.

Marrëveshjet

Gjatë vizitës dyditore do të nënshkruhen një serë marrëveshjes dypalëshe që siç pohoi Rama do të hapin një kapitull të ri bashkëpunimi pasi kanë një rëndësi për partneritetin strategjik mes dy vendeve.

Marrëveshjet prekin sektorë si shëndetësia, infrastruktura, arsimi, policia, doganat e kultura.

Sa i takon shëndetësisë është rinovuar marrëveshja për trajtimin e afro 100 pacientëve çdo vit për ndërhyrje që nuk realizohen në vend. Dokumenti i firmosur nga ministrja Balluku dhe homologu i saj turk lidhet me shkëmbimin e eksperiencës nën fushën e ndërtimit, standardeve teknike dhe rezistencës ndaj tërmeteve.

Pjesë e marrëveshjeve është dhe një fond i posaçëm për restaurimin e xhamisë së Plumbit në Shkodër.

Rindërtimi ka marrë një tjetër hapësirë pas ndihmës që Turqia na dha pas tërmetit të fundit të 2019 duke marrë përsipër ndërtimin e më shumë se 500 apartamenteve në Laç.

Siç shkruajnë dhe mediat turke në takimin kokë me kokë nuk kane munguar dhe diskutimet për zhvillimet aktuale rajonale dhe ato ndërkombëtare.