Extra “Më lehtësuat dhimbjen”, Agron Llakaj falenderon shqiptarët pas humbjes së Konstandinës: Kam...

“Më lehtësuat dhimbjen”, Agron Llakaj falenderon shqiptarët pas humbjes së Konstandinës: Kam bërë humor me thikë në zemër

Aktori i njohur i humorit, Agron Llakaj humbi të shoqen pak ditë më parë pas një beteje gati dyvjeçare me një sëmundje të pashërueshme. Sot ai ka zgjedhur që përmes një videomesazhi të falënderojë të gjithë njerëzit për respektin dhe mesazhet e dërguara.

“Të dashur miq, në pamundësi për t’ju kthyer përgjigje të gjithë mesazheve të drejtuara drejt meje dhe familjes sime me rastin e humbjes së jetës së njeriut të shrenjtë, Kostandinës tonë dhe Konstandinës time, unë po ju drejtohem me këtë videomesazh duke shprehur falënderimet dhe mirënjohjen e thellë për çdo fjalë zemre“, shprehet Agroni.

Aktori thotë se prania e njerëzve, të njohur dhe të panjohur në këto ditë të vështira për të, e kanë bërë disi më të lehtë dhe të pranueshme dhimbjen.

“Dihet, edhe gëzimet dhe hidhërimet ndahen me njerëz të njohur dhe të panjohur. Moria e njerëzve në përcjelljen e Konstandinës, por edhe në ditët e pritjes, gjithë kjo dashuri e madhe njerëzore na bëri që ta kalonim disi më lehtë. Mali i dhimbjes që Konstandina la mbrapa nuk ka fjalë që mund ta shprehin sepse pesha është shumë e madhe. Pikërisht për shkak të kësaj dhimbjeje, ne po pranojmë vuajtjen”

Kam lexuar mesazhet tuaja për të ruajtur kujtimet e saj, por ajo është në çdo frymëmarrje tonën, timen, fëmijëve, mbesës dhe nipërve të mi dhe gjithë njerëzve të dashur. Por, jetën nuk e zgjedhim, e tillë është. Në dy vite ajo tregoi se ishte trau dhe shtylla e shtëpisë, por edhe një njeri i fortë. Në dy vite në këtë tragjedi njerëzore dhimbjeje, në këtë betejë me një sëmundje të pamëshirshme ishte ajo që më dha mundësinë të ushtroja profesionin tim.”

Agron Llakaj nuk e ka shkëputur angazhimin e tij në televizion dhe në skenën e humorit gjatë këtyre viteve, pavarësisht problemeve shëndetësore të së shoqes, por kjo duket se ka qenë jo pak sfiduese për të si artist.

“Të bësh humor me thikë në zemër është e vështirë, motiv ishte Konstandina. Pas gjithë kësaj beteje, ne e pranuam humbjen. Sëmundja doli më e fortë. Ajo çka Konstandina la mbrapa, unë shpresoj që fëmijët e mi ta trashëgojnë, bashkë me respektin dhe dashurinë njerëzore.”

Ai përfundon duke thënë: “I prekur dhe i emocionuar nga e gjithë pjesëmarrja e njerëzve dua të shpreh falënderimin e madh dhe t’ju them: Duajeni njëri-tjetrin, respektojeni. Pasuria më e madhe është shëndeti, para tij, jetës dhe njerëzve të dashur çdo gjë tjetër është shumë e vogël. Respekt dhe mirënjohje nga unë, fëmijët e mi, nipërit dhe mbesa!”

Agroni dhe Kostandina kanë qenë të martuar për rreth 40 vite, ata janë prindër të dy fëmijëve dhe janë bërë gjyshër të një mbese dhe dy nipërve.