Një 28-vjeçar ra në prangat e Policia e Tiranës pasi përplasi me makinë një vajzë. Ngjarja ndodhi në rrugën e Durrësit, aty ku i riu nga Kruja, sipas policisë po lëvizte në kahun e kundërt të rrugës me makinë.
Për pasojë ai goditi vajzën që po lëvizte me motomjet, si dhe u përplas me një tjetër makinë. Si të mos mjaftonte, 28-vjeçari u largua edhe nga vendi i ngjarjes, arrati që siç duket i zgjati pak.
Ndërkohë, e plagosura u dërgua në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
“U arrestua J. Ç., 28 vjeç, banues në Krujë, pasi në Rrugën e Durrësit, duke drejtuar automjetin, në sens të kundërt me lëvizjen, është përplasur me motomjetin me drejtuese shtetasen N. LL. dhe me automjetin me drejtues shtetasin K. N., 23 vjeç. Pas aksidentit, shtetasi J. Ç. është larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e aksidentit, është dëmtuar shtetasja N. Ll., e cila ndodhet në kujdesin e mjekëve”, tha policia e Tiranës në një njoftim për mediat.