“Më bullizonte, më ngacmonte dhe gruan”, kështu ka deklaruar para hetuesve autori i vrasjes së 81 vjeçarit në Zall-Bastar. Isuf Hasa ka rrëfyer krimin me detaje, duke theksuar se gjithçka erdhi si pasojë e ofendimeve të vazhdueshme të Xhemal Metës ndaj tij.
“Në mëngjes shkova në shtëpinë e Xhemalit dhe pimë kafe. Pasi mbaruam aty vendosëm të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë ku ishte çekiçi. E mora dhe e qëllova nga mbrapa. Kishte shumë kohë që më bullizonte dhe më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja tre net në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte: “Si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas”. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava, i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë”, ka thënë Hasa në dëshminë e tij.
Hasa është shoqëruar në komisariat fill pas ngjarjes, por më pas është lënë qëllimisht i lirë. Pas sigurimit të provave, agjentët e vunë në pranga.
Ngjarja e rëndë ndodhi 3 ditë më parë. I moshuari u gjet i pajetë në oborrin e banesës së tij, me dëmtime të rënda në pjesën e pasme të kokës. Kështu Policia nisi hetimet e mëtejshme për vrasjen. Mësohet se fqinji i tij e ka goditur me çekiç mëngjesin e 13 Janarit, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas i ka marrë 200 mijë lekë të rinj që Meta kishte në xhep dhe është larguar nga vendngjarja.
Uniformat blu kanë ushtruar kontrolle dhe në banesën e vajzës së Isuf Hasës në fshatin Gjokaj të Vorës, ku kanë gjetur çekiçin me të cilin 64 vjeçari ka kryer krimin.