Aktualitet Me pagesë shtesë, mjekët do të japin konsulta jashtë orarit që kanë...

Me pagesë shtesë, mjekët do të japin konsulta jashtë orarit që kanë me spitalin

Mjekët që punojnë në spitale që kanë fituar autonominë spitalore dhe kanë përfituar kartën e autonomisë menaxheriale, do të mund të punojnë jashtë orarit zyrtar me pacientë që zgjedhin vetë mjekët që duan për konsulta.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastrirliu tha në një deklaratë për shtyp pas vendimeve të Qeverisë se tashmë mjekët mund të kryejnë konsulta jashtë regjimit të punës për pacientët që janë jashtë sistemit të referimit.

“Pacientët do të munden të zgjedhin vetë se me kë mjek duan të konsultohen dhe kur duan të konsultohen dhe mjeku do të mundet të bëjë konsultën sigurisht jashtë orarit zyrtar që mjeku ka në spitalin ku punon. Kjo praktikë do të kryhet në spitalet që kanë një autonomi spitalore dhe kanë marrë kartën menaxheriale. Është bordi i spitalit që do të përcaktojë edhe tarifat për këtë shërbim”, tha Manastirliu.

Manastiliu tha se ky është një hap që i hap rrugën praktikës dyfishe që u jep mjekëve të kenë një mbështetje financiare shtesë.

Autonomia spitalore dhe menaxheriale tashmë aplikohet në spitalin memorial të Fierit ndërkohë që janë 3 spitale të cilët janë duke u përgatitur për të përfituar kartën e autonomisë menaxheriale, Qendra spitalore Nënë Tereza, spitali i Durrësit dhe spitali Shkodrës. Sipas Manastirliut, të tre këto spitale po përgatisin bazën e nevojshme dhe strategjinë për të përfituar autonominë.