Në një takim në ‘Shtëpinë e Biznesit’ me përfaqësues të biznesit, kryeministri Edi Rama njoftoi reformën e re për inspektimet.
Kryeministri deklaroi se do të ketë shkurtime të rëndësishme në inspektorate, të cilat do t’i shkëputen ministrisë dhe do të dalin si një palë autonome, por në ombrellën e kryeinspektorit të përgjithshëm.
“Sot është një pikë e dobët, pavarësisht investimeve që janë bërë, në inspektime. Por nga ana tjetër, e dimë shumë mirë që ky presion vijon të jetë dhe nuk mund të justifikohet, pasi mund të bëjmë një kapërcim tjetër. Një reformë e inspektorateve. Një shkurtim i rëndësishëm i numrit të tyre. Një bashkim i një sërë funksionesh që janë të ndara, në një grup inspektoratesh, një shkëputje nga ministritë për të dalë si një forcë e re dhe autonome në veprimtarinë e vet nën ombrellën e kryeinspektorit të përgjithshëm të shtetit”, u shpreh kryeministri.
Rama adresoi edhe ankesat që tashmë do të bëhen në prani të përfaqësisë nga trupat e biznesit për të rritur transparencën, pasi sipas tij, biznesi nuk duhet ti shërbejë shtetit, por e kundërta.
“Nuk do të jetë një trup që edhe do të vendosë gjoba dhe të marrë në shqyrtim ankesa. Ankesat do të bëhen edhe me trupat e apelimit në përfaqësinë e trupave të bizneseve, për të krijuar një barrikadë që të mos kapërcehet dot. Nuk është biznesi për t’i shërbyer shtetit, është shteti për t’i shërbyer biznesit. Do të jetë shteti që do të hedhë gjithmonë hapin e parë”, deklaroi ai.
Kreu i shtetit u premtoi bizneseve se do të ketë më pak inspektime dhe jo më gjobë që në herën e parë.
“Përtej kësaj, do të vendosim një parim të ri, jo gjobë në vizitën e parë. Bizneset korrektE në raport me shtetin nuk do të kontrollohen. Do jenë zonë e ndaluar për inspektim. Të ketë më pak inspektime, më shumë këshillim. Goditje katastrofike për biznesin që nuk futet në binar”, tha kreu i qeverisë
E pranishme në takim ishte edhe Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj. Në fjalën e saj, ajo theksoi se inspektimi është një nga shtyllat kryesore të marrëdhënies mes shtetit dhe biznesit.
“Tre janë kolonat kryesore të këtij procesi: regjistrimi, licencimi; kolona e dytë, raportimi ndaj shtetit dhe kolona e tretë, inspektimet. Sa i përket dy të parave, ne kemi bërë shumë punë në lehtësimin e procedurave që biznesi duhet të bëjë për regjistrimin licencimin, por ecuri pozitive kemi dhe sa i takon procesit të digjitalizimit të tyre me qëllim që marrëdhënia mes shtetit dhe biznesit të jetë sa më e lehtë”, tha ministrja.
Sipas saj, synimi është bashkëpunimi përmes sistemeve, për reduktimin e procedurave, lehtësimin e të bërit biznes dhe uljen e korrupsionit.
“Sot bizneset shqiptare duan të garantojnë standarde, konkurrencë të pastër dhe janë të bindur drejt vetë deklarimit dhe kulturës për të respektuar ligjin. Ne duam të ndërtojmë një sistem që është i bazuar në bashkëpunim, transparencë dhe vetë deklarim dhe jo në penalizime”- u shpreh Ibrahimaj.