Deputeti i Partisë Demokratike, Dash Sula ka zgjedhur që të paraqitet ndryshe këtë seancë plenare.
Ai shfaqet i veshur më bluze të bardhë, si e mjekëve, ku shkruan “Sterilizimi, AZHBR”, teksa në duar mban një tufë me presh.
Sula ka treguar domethënien e veshjes së tij.
“Kjo është për të demonstruar komisionet hetimore që kjo mazhorancë nuk i pranon, për të parë dhe për të treguar se çfarë po ndodh në këtë vend”, tha Sula.
“Sot kam ardhur në mënyrë simbolike për t’i treguar mazhorancës, PS, që të gjithëve, që aksioni jonë parlamentar, i kolegëve të mi nuk është për interesa personale, absolutisht kush e gjykon dhe e bën pis për zotin Berisha, por aksioni jonë ka filluar më 5 Tetor dhe do vijojë derisa të vihet në vend e drejta jonë kushtetuese”, tha Sula.
Sipas tij, mazhoranca pengon me forcën e kartonit ngritjen e komisioneve hetimore.
“Të gjithë qytetarët shqiptarë e dinë që opozita ka që nga data 5 tetor e cila proteston, ka një aksion opozitar sa i përket ngritjes së komisioneve hetimore, që kjo mazhorancë i pengon me forcën e kartonit dhe nuk lejon të bëhen hetime për të parë çfarë ka ndodhur me koncesionet e sterilizimit, AZHBR, të gjithë i dimë abuzimet nga kjo mazhorancë”, tha ai.