Një tentativë për grabitjen e një pike të këmbimit valutor ka ndodhur në qytetin e Durrësit.
Ngjarja është regjistruar në lagjen Nr.1, pranë shëtitores “Taulantia”. Mësohet se autori, i armatosur dhe me kapuç, ju drejtua pikës së këmbimit valutor duke hyrë në pjesën ku qëndrojnë klientët, por punonjësit kanë vënë re që ishte i armatosur dhe kanë bllokuar derën elektronike që të çon në ambientin ku ndodhet arka.
Pasi dera nuk u hap, autori është larguar me shpejtësi. Policia administroi pamjet filmike nga subjekti dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e te riut me armë, e cila sipas tyre mund të jetë lodër.
“Rreth orës 12:45, në lagjen nr. 1, Durrës, një shtetas ende i paidentifikuar ka hyrë në një dyqan për këmbim valutash dhe në kërcënimin e një pistolete lodër, ka tentuar të marrë një shumë parash. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë kontrolle në zonë, për kapjen e autorit”, njofton policia.