Aktualitet Me pranga në duar dhe i shoqëruar nga policia, Ilir Rrapaj paraqitet...

Me pranga në duar dhe i shoqëruar nga policia, Ilir Rrapaj paraqitet në Kuvend

Me pranga në duar dhe i shoqëruar nga forcat e policisë, biznesmeni Ilir Rrapaj është paraqitur në Kuvend për të raportuar në Komisionin Hetimor për Shërbimet Publike të Sterilizimit dhe të Check-up në Shëndetësi.

Biznesmeni, i arrestuar që në gusht të 2023 është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për mashtrim me pasoja të rënda, në dosjen e koncensionit të “Sterilizimit”, të cilin e fitoi me kompaninë Saniservis. 40% të aksioneve të kompanisë Saniservis dhe 2 shoqëri të tjera tregtare nën administrimin e Ilir Rrapajt, njëra prej tyre në Kosovë, u sekuestruan nga gjykata me kërkesë të SPAK.

Me vendim të Gjykatës së Posaçme, u bllokuan të gjitha pasuritë që këto 3 shoqëri kishin, mes të cilave dy llogari bankare me vlera mbi 285 mijë Euro dhe 113 mijë Lekë. Në sekuestro u vunë edhe 13 makina dhe një apartament në Vlorë. SPAK thotë se nga hetimet e kryera ka rezultuar se Ilir Rrapaj, nën administrimin e Saniservis fitoi në kushte të konfliktit të interesit, koncensionin e “Sterilizimit” të mjeteve mjekësore në 2015.

Prokuroria gjeti lidhje miqësore mes Rrapajt dhe ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, i arrestuar si dhe udhëtime dhe kontakte me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj (i arrestuar për shpërdorim të fondeve të SASPAC dhe nën hetim me masë “detyrim paraqitje” për “Sterilizimin”).

Për hetuesit, ata duhet të kishin shmangur veten nga procedurat e koncensionit të “Sterilizimit”, por nuk e kanë bërë duke favorizuar biznesmenin. Nën hetim për këtë dosje janë gjithashtu edhe 6 ish-zyrtarë të tjerë.