Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha është duke zhvilluar paraditen e së shtunës një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.
I pyetur nga një qytetar se kur do të jetë protesta e ardhshme, kryedemokrati nuk dha një përgjigje por theksoi se kryeministri Edi Rama po përpiqet që të pengojë Partinë Demokratike që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të pranverës.
Berisha solli në vëmendje se para se gjykata të merrte një vendim më 25 mars, PD u detyrua që të futej në zgjedhje me një koalicion nën një emër tjetër. Por, shtoi ish-kryeministri, pas vendimit të 25 marsit, PD nuk ka asnjë arsye që të futet një zgjedhje me “zgjidhje të tilla ligjore”
“Edi Rama sot kontrollon 10% pushtetet se diktatori i fundit komunist në 1991. Rama përpiqet që të pengojë PD-në që të hyjë në zgjedhjet e 14 majit. Duke mbajtur peng vendimin e gjykatës me të cilin asnjë kryeministër në asnjë vend nuk duhet të ketë lidhje. Më 25 mars, mori në shqyrtim dosjen e rithemelimit dhe gjeti gjithçka në përputhje me ligjet e vendit. Kemi marrjen peng të vendimit të gjykatës nga data 25 mars deri më sot. Ai do ta detyrojë PD-në të veprojë siç veproi para vendimit të gjykatës. Krijuam një koalicion dhe morëm emër tjetër. Pas vendimit të gjykatës nuk kemi më asnjë pengesë veç urrejtës së Ramës dhe qëllimit të tij antikushtetues”, tha Berisha.
Megjithatë, Berisha theksoi se PD nuk do të pengohet nga asgjë ndërsa shtoi se “protestat e fuqishme” do jenë një drejtim themelor me të cilin opozita synon të “dridhë themelet e regjimit.”
“Demokratët janë forca politike që udhëhoqi revolucionin demokratik të viteve ’90, përmbysin sistemin komunist, hodhi themelet e tregut në Shqipëri, realizoi demokraci funksionale të certifikuar nga ndërkombëtarët, anëtarësuan Shqipërinë në NATO, firmosën MSA, anëtarësuan Shqipërinë në Këshillin e Europës, hoqën vizat dhe morën rekomandimin e BE për statusin kandidat.
Por mbi të gjitha, bënë avokatinë e çështjes kombëtare, e vërteta është se pavarësia e Kosovës u shpall në Tiranë nga presidenti Bush në vizitën e tij historike. Demokratët bënë gabime, por i korrigjuan ato. Ata ia dolën që qytetarët shqiptarë të kenë rrogat më të larta në rajon, edhe se bullgarët dhe rumunët.
Kjo trashëgimi fton çdo demokrat të qëndrojë fuqishëm. Protestat e fuqishme do jenë një drejtim themelor me të cilin ne synojmë të dridhim themelet e këtij regjimi të bazuar mbi krimin, vjedhjen dhe drogën”, tha Berisha.