Një shqiptar është vënë në pranga pasi ka plagosur ish-gruan, të dashurin e saj dhe motrën e këtij të fundit. Të martën gjatë drekës, Pëllumb Jaupi 53 vjeç i doli në pritë gruas para shtëpisë së saj në Morciano (Itali) dhe e goditi me thikë në gjoks.
Një goditje që mund të ishte fatale për gruan 53-vjeçare, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur. Ndërkohë që në vendin e ngjarjes po shkonin urgjenca dhe karabinierët, Jaupi mori arratinë drejt Riminit, atje ku jeton dhe shkoi drejt një hoteli në Rivazzura.
“Erdha që të kërkoj për një punë për gruan time gjatë verës, do dëshiroja që të flas me pronarin”. Kështu u tha punonjësve dhe pas disa minutash u shfaq Nicola Scarcia.
Pasi shkëmbyen disa fjalë me njëri-tjetrin ata lëvizën drejt recepsionit. Aty Jaupi shprehu qëllimet e tij të vërteta. Ai i bërtiti pronarit të hotelit se i ka shkatërruar jetën dhe që gruaja ia ka thënë të gjitha.
Papritur nxori një thikë kuzhine dhe e goditi disa herë. Një dëshmitar një vendin e ngjarjes, shok i Scarcia, tha se ka ndërhyrë menjëherë për të ndihmuar pronarin e hotelit dhe të ndalonte shqiptarin. Menjëherë ka ndërhyrë edhe Barbara, motra e Scarcia, por edhe ajo u godit me thikë nga Jaupi. Fatmirësisht plagët për të ishin të lehta.
“Nicola u përpoq që të mbronte veten pavarësisht plagëve dhe gjakut që i rridhte. Mundëm që ta bllokonim Jaupin dhe thërritëm për ndihmë”, ka deklaruar shoku i të plagosurit.
Policia mbërriti brenda disa minutash dhe arrestoi shqiptarin. Tashmë ai duhet të japë llogari për disa vepra të rënda penale si tentativë e dyfishtë vrasjeje dhe plagosje e rëndë. Gjatë ditës së sotme, ai pritet që të japë dëshminë e tij para prokurorisë.
Shqiptari kishte qenë i dhunshëm ndaj gruas edhe më parë. Madje siç shkruajnë mediat, ngjarja e së martës mund të ishte evituar sepse Jaupi mund të ishte dënuar disa muaj më parë.
Në nëntor, një prokuror kishte kërkuar burg për shqiptarin. Kjo për arsyen sepse Jaupi, i cili kishte dy fëmijë me gruan, ia kishte bërë të pamundur jetën asaj pas ndarjes në vitin 2020.
Madje, 51-vjeçarja ishte detyruar që të që të kthehej në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjes dhe kërcënimeve. Por tmerri filloi sërish sapo ajo ishte kthyer në Itali. Jaupi e kërcënonte, madje në disa raste edhe e dhunonte.
“Nëse i thua djalit diçka do të të vras ty dhe atë”, mësohet se i ka thënë ai.
Ndërkohë në një rast tjetër ai i ka dërguar një mesazh ku i thoshte: Nëse nuk telefonon këtë numër do të të djeg të gjallë. Nëse më denoncon dhe më fut në burg, do të dal dhe do të të vras.
Për këto arsye, prokurori kërkoi burg, ndërsa një gjykatëse vendosi thjesht një vendim për ta ndaluar shqiptarin t’i afrohet ish-gruas.