Vijojnë në të gjitha rrugët e vendit, kontrollet e Policisë Rrugore për parandalimin e aksidenteve rrugore. Në autostradën Levan-Vlorë, gjatë monitorimit me radar, është konstatuar mjeti tip “Benz”, me shpejtësi 184 km/h që drejtohej nga një 24-vjeçar me iniciale A. M., rezident në Itali. Ai u ndëshkua me gjobë 40.000 lekë të rinj. Shpejtësi të mëdha janë konstatuar nga radari edhe në akset rrugore Shkodër-Koplik, Milot-Morinë, Lezhë-Fushë Krujë, Tiranë-Elbasan, Durrës-Kavajë-Lushnjë, Elbasan-Korçë dhe Gjirokastër-Sarandë.
Gjatë 48 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 13 drejtues mjetesh, nga të cilët 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Gjithashtu janë pezulluar 73 leje drejtimi, nga të cilat 44 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 25 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 4 për qarkullim në sens të kundërt.
Po gjatë 48 orëve të fundit janë ndëshkuar me masë administrative 3456 drejtues mjetesh, për shkelje që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Policia Rrugore e Tiranës ka identifikuar edhe 17-vjeçarin, i cili drejtonte automjetin pa leje drejtimi, duke qenë rrezik për përdoruesit e tjerë të rrugës. Kjo erdhi pas postimit në disa media sociale, i një videoje ku shfaqet një drejtues automjeti, i cili filmon veprimet e tij duke qarkulluar në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në sens të kundërt me atë të lejuar në zonën e Kamzës, ankesë e përcjellë edhe nëpërmjet Komisariatit Digjital.
Ndaj 17-vjeçarit filloi procedimi penal për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe po punohet për sqarimin e rrethanave dhe përgjegjësive të tjera administrative në raport me shkeljet.
Policia Rrugore këshillon të gjithë qytetarët që të mos reklamojnë në rrjetet sociale sjellje apo veprime që nxisin veprime të ndaluara kryesisht tek të rinjtë si dhe për shkak se jemi në fundjavë, në akset rrugore në drejtim të zonave bregdetare dhe turistike evidentohet fluks shumë i lartë i mjeteve, duhet që të gjithë drejtuesit e automjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore, të mos kryejnë parakalime të gabuara dhe të qëndrojnë në radhë ku lëvizja është e ngadaltë për shkak të ngarkesës në trafik, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.