Aktualitet Me shpejtësi 205 km/orë në Rrugën e Kombit, ndëshkohet drejtuesi i “Audi...

Me shpejtësi 205 km/orë në Rrugën e Kombit, ndëshkohet drejtuesi i “Audi A8”

Drejtuesi i një automjeti tip “Audi A8”, u ndëshkua me 40 000 lekë të rinj gjobë, iu pezullua leja e drejtimit dhe iu zbritën 8 pikë nga patenta, pasi u konstatua me shpejtësi 205 km/orë, në Rrugën e Kombit.

Policia njofton gjithashtu se gjatë 2 javëve të para të muajit korrik u ndëshkuan 144 shtetas që drejtonin automjetin përkatës, me shpejtësi nga 150 km/orë deri në 205 km/orë.

“Qarkulloi me shpejtësi 205 km/orë, në Rrugën e Kombit, konstatohet nga mjetet inteligjente të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, si dhe ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë të rinj dhe me masë plotësuese, drejtuesi i një automjeti tip “Audi A8””, njofton Policia.

Gjatë 2 javëve të para të muajit korrik, shërbimet e Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, të pajisura me mjete logjistike bashkëkohore, ndëshkuan 144 shtetas që drejtonin automjetin përkatës, me shpejtësi nga 150 km/orë deri në 205 km/orë, prej tyre:

-135 shtetas kosovarë u ndëshkuan me masë administrative sa dyfishi i masës administrative që parashikon Kodi Rrugor; -9 shtetasve shqiptarë iu është pezulluar leja e drejtimit për periudha nga 3 deri në 12 muaj, si dhe iu janë zbritur nga 5 deri në 8 pikë nga leja përkatëse e drejtimit”.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, 70 automjete janë shpallur “Alert”, pasi qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, në tunelin e Kalimashit.

Policia bën të ditur se në fundjavë, në çdo aks ka radarë dhe këshillon drejtuesit që të mos shpejtojnë për të arritur në destinacion duke rrezikuar jetën.