Numri i të rriturve që jetojnë me diabet në mbarë botën do të dyfishohet deri në vitin 2050 sipas një studimi të ri, ku studiuesit fajësojnë rritjen e shpejtë të niveleve të obezitetit dhe zgjerimin e pabarazive shëndetësore.
Vlerësimet e reja parashikojnë se numri do të rritet nga 529 milionë në 2021 në më shumë se 1.3 miliardë në 2050. Asnjë vend nuk pritet të shohë një rënie të shkallës së diabetit gjatë 30 viteve të ardhshme. Gjetjet e studimit u botuan në revistat The Lancet dhe The Lancet Diabetes & Endocrinology.
Ekspertët i përshkruan të dhënat si alarmante, duke thënë se diabeti po kalonte shumicën e sëmundjeve në nivel global, duke paraqitur një kërcënim të rëndësishëm për njerëzit dhe sistemet shëndetësore.
“Diabeti mbetet një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit publik të kohës sonë dhe do të rritet në mënyrë agresive gjatë tre dekadave të ardhshme në çdo vend dhe çdo grupmoshë, duke paraqitur një sfidë serioze për sistemet e kujdesit shëndetësor në mbarë botën”, thotë Shivani Agarwal, studiues.
OKB-ja ka parashikuar që deri në vitin 2050 popullsia e botës do të jetë rreth 9.8 miliardë. Kjo tregon që deri atëherë, një në shtatë dhe një në tetë njerëz do të jetojnë me diabet.
“Diabeti i tipit 2, i cili përbën pjesën më të madhe të rasteve të diabetit, është kryesisht i parandalueshëm dhe i menaxhueshëm. Megjithatë, të gjitha provat tregojnë se prevalenca e diabetit po rritet në mbarë botën, kryesisht për shkak të rritjes së obezitetit të shkaktuar nga faktorë të shumtë.
Racizmi i përjetuar nga grupet etnike të pakicave dhe “pabarazia gjeografike” po përshpejtojnë normat e diabetit, sëmundjeve dhe vdekjeve në mbarë botën, thanë autorët.
Pandemia ka përforcuar pabarazinë e diabetit në nivel global. Njerëzit me diabet kishin dy herë më shumë gjasa të zhvillonin infeksion të rëndë me Covid-19 dhe të vdisnin në krahasim me ata pa diabet, veçanërisht midis grupeve etnike të pakicave, thanë autorët.