Analiza e re e njerëzve të infektuar në komunitet thekson rrezikun e transmetimit të koronavirusit nga asimptomatikët.
Më shumë se gjysma e njerëzve me infeksion të rëndë të koronavirusit nuk raportuan asnjë nga simptomat kryesore, sipas të dhënave të fundit nga Zyra për Statistikat Kombëtare në Britani.
Kjo nënvizon rrezikun e përhapjes së virusit nga njerëzit pa e ditur se janë të infektuar dhe që mendohet të jetë një nga mënyrat kryesore nëpërmjet së cilave pandemia e koronavirusit ka qenë në gjendje të përhapet kaq lehtë në të gjithë botën.
Zyra për Statistikat Kombëtare raportoi se në periudhën midis dhjetorit dhe marsit, 53 për qind e njerëzve me një ngarkesë të rëndë virale, nuk raportuan asnjë simptomë krahasuar me 47 për qind të atyre që kishin. Këtu përjashtohen rastet e pacientëve që mund të ishin në fillim të infeksionit të tyre kur transmetimi dhe simptomat mendohet të jenë më pak të mundshme.
Lodhja, dhimbja e kokës dhe kolla ishin simptomat më të zakonshme të raportuara në mesin e personave që kishin rezultuar pozitiv me Covid.
Sarah Crofts, statisticiene në Anketën e kryer nga Zyra për Statistikat Kombëtare mbi Infektimet me Covid-19, tha se analiza e tyre nxjerr në pah gamën e simptomave që njerëzit mund të provojnë më shpesh nga infektimi me Covid-19 . Ajo tha se simptoma të tilla si lodhja, dhimbja e kokës dhe kolla, vazhdojnë të jenë ende ato që raportohen më shpesh nga të infektuarit. Ndërsa vetëm 1 në 5 prej personave të infektuar përjetojnë humbje të shijes ose vetëm të nuhatjes.
“Rreth gjysma e atyre që kemi testuar nuk kanë raportuar ndonjë simptomë edhe pse kanë nivele të larta të virusit të pranishëm në trupin e tyre. Kjo nënvizon se njerëzit në komunitet mund ta kenë virusin pa e ditur që e kanë dhe me shumë gjasa mund ta transmetojnë atë tek të tjerët”.
“Është thelbësore që ne të vazhdojmë të masim nivelet e infeksionit në popullatë dhe të mbledhim informacion mbi simptomat në mënyrë që të mund të identifikojmë çdo ndryshim që mund të mbetet i pazbuluar”, shtoi ajo.
Gjatë marsit, një total prej 36 për qind personash të infektuar raportuan simptomat klasike të Covid-19, me 28 për qind raportuan se kishin vetëm kollë, 20 për qind raportuan ethe dhe 12 për qind vështirësi në frymëmarrje.
Humbja e shijes dhe nuhatjes u raportua nga 14 për qind e pacientëve. Gjashtë për qind raportuan gjithashtu diarre dhe dhimbje abdominale. Fuqia e infeksionit u përcaktua nga shpejtësia më të cilën u zbulua virusi në testet laboratorike. Zbulimi më i shpejtë do të thotë që pacienti mund të ketë një ngarkesë më të lartë virale në trup.
Disa pacientë u përjashtuan nga sondazhi pasi këtu mund të përfshihen njerëz që janë në fazën e hershme të infeksionit, ose presimptomatik. Anketa e mësipërme bazohet në një kampion të familjeve private dhe përjashton spitalet ose shtëpitë e kujdesit. Në sondazhin e tij të fundit javor, Zyra për Statistika Kombëtare vlerësoi se 148 mijë njerëz në komunitet ishin me Covid-19.