Policia në Durrës ka arrestuar tre të rinj pasi gjatë kontrollit në makinë iu gjetën një pistoletë me silenciator si dhe një jelek antiplumb. Sipas informacioneve që jep policia, tre të ndaluarit do ta shisnin armën dhe jelekun për një shumë prej 3 mijë euro.
Tre të rinjtë nga Durrësi u ndaluan ndërsa po qarkullonin dhe në lagjen nr.17, Kënetë, Durrës, shërbimet e Policisë kanë ndaluar mjetin e dyshuar. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip BMW, në ulësen e pasagjerit, në një çantë dore, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri me silenciator dhe në bagazhin e mjetit një jelek antiblumb si i Policisë.
Nga hetimet dhe informacionet e marra, sipas policisë rezulton se, armën e zjarrit dhe antiplumbin do t’i shisnin kundrejt vlerës 3000 euro. Ndërkohë gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e shtetasit V. Z., u gjetën 10 doza me lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa.
Policia dhe Prokuroria e Durrësit po hetojnë për zbulimin e personave që do të blinin armën dhe antiplumbin, që dyshohet se mund të përdoreshin më pas për ngjarje kriminale.