Një grup i shpërndarjes së drogës në kryeqytet, i përbërë nga 9 anëtarë, është shkatërruar nga Policia e Tiranës gjatë një aksioni të koduar “Kodra e Diellit 3”.
Hetimet për këtë rrjet droge zgjatën 6 muaj. Tetë persona janë vënë në pranga, ndërsa një tjetër në kërkim. Në mesin e të arrestuarve është edhe kreu i grupit, Herald Rexhepaj 35 vjeç. Të arrestuarit e tjerë janë Viola Bendaj 31 vjeç, Arolf Harizi 19 vjeç, Arlind Aga 20 vjeç, Xhersildo Arifllari 21 vjeç, Dashamir Shehu 46 vjeç, Indrit Gjoshi 22 vjeç dhe Devis Saliaj 19 vjeç. Ndërsa në kërkim është 29-vjeçari K.R.
Grupi siguronte lëndë kanabis dhe kokainë në sasi të mëdha. Më pas, anëtarët e grupit i shisnin me doza në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në afërsi të lokaleve të natës dhe të vendeve që frekuentohen nga të rinjtë.
Për të kamufluar aktivitetin e tyre kriminal, anëtarët e grupit të drogës përdornin edhe kode, të tilla si “më sill 3 pica” apo “shko merr fantat” duke iu referuar lëndëve narkotike.
Gjatë aksionit u sekuestruan 650 doza kanabis, 150 doza lënde narkotike kokainë, 1 kg lëndë e dyshuar kanabis, qindra qese farmaceutike që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, dy peshore elektronike dhe 5 celularë.
Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.