Udhëheqësit e Hungarisë, Republikës Çeke, Sllovakisë dhe Polonisë deklaruan pas takimit në qytetin Krakov në Poloni se mbështesin blerjen e vaksinave nga kompani farmaceutike pavarësisht nga situata gjeopolitike me kusht që ato të ishin të sigurta dhe efektive.
“Nuk ka vaksinë Lindore ose Perëndimore, ekziston vetëm një vaksinë e mirë ose e keqe. Nuk është mirë të jesh shumë politik në lidhje me sigurinë shëndetësore të njerëzve. Prokurimi i vaksinave të sigurta dhe efektive shpejt është tani më i rëndësishëm sesa kostoja e tyre”.
Hungaria ishte shteti i parë dhe deri më tani i vetëm i Bashkimit Evropian që bleu vaksinën ruse Sputnik V pa pritur miratimin nga Agjencia Evropiane e Barnave. Edhe kryeministri i Sllovakisë Igor Matowic dhe Mateusz Morawiecki i Polonisë e mbështetën Orban. Kryeministri sllovak konfirmoi diskutimet për vaksinën ruse sepse mbrojtja e shëndetit dhe jetës nuk mund të përzihet me politikën. “Virusi nuk zgjedh Lindjen ose Perëndimin për shkak të preferencave politike. Virusi bën që politikanët të bëjnë çmos për të mbrojtur jetën pavarësisht nga vjen vaksina”, tha Matowic. Kryeministri polak Mateusz Morawiecki theksoi rëndësinë e “marrjes së vaksinës nga kudo në kohën më të shpejtë të mundshme për përballimin e situatës aktuale. Kryeministri çek Andrej Babiç pranoi se situata në Republikën Çeke nuk është e mirë, njerëzit janë të irrituar dhe nuk duan më të zbatojnë masat qeveritare kundër koronavirusit.
“Vaksina është zgjidhja e vetme. Bashkimi Evropian negocioi mirë dhe besoi se kompanitë farmaceutike do të ishin serioze. Ne kemi nënshkruar 3.2 miliardë euro për prodhuesit e vaksinave dhe kemi porositur 2.3 miliardë vaksina për 477 milionë qytetarë të BE-së. Fatkeqësisht, dërgesat jo vetëm që po vonohen, por madje dëgjojmë që prodhuesit të eksportojnë vaksinën jashtë BE-së, edhe pse është prodhuar në BE. Kjo situate duhet të marrë fund”.
BE nuk ka marrë në kohë sasitë e të planifikuara të rreth 2 miliardë doza të vaksinave për të cilat ka nënshkruar marrëveshje me kompanitë farmaceutike perëndimore. Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha se krerët e BE-së do të diskutojnë javën e ardhshme mënyrat e shtimit të sasisë të prodhimit të vaksinave si dhe përshpejtimin e procesit të vaksinimeve. Sipas revistës mjekësore Lancet regjimi me dy doza të vaksinës ruse Sputnik V ka treguar 91.6% efektivitet në teste.