Për kandidatin republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump, armiku i brendshëm është shumë herë më i rrezikshëm se ai i jashtmi.
Në një intervistë për Fox News, Trump theksoi se, Kina dhe Rusia nuk kanë të njëjtën rrezikshmëri si kërcënimi që po i kanoset SHBA-së nga e majta e radikale.
“Biden nuk e ka idenë se çfarë po ndodh, me gjithë drejtësinë. Ai e kalon pjesën më të madhe të ditës duke fjetur. Unë mendoj se problemi më i madh është armiku nga brenda, madje as njerëzit që kanë hyrë dhe kanë shkatërruar vendin tonë, duke shkatërruar totalisht vendin tonë. Qytetet, fshatrat, po përmbyten. Por nuk mendoj se ata janë problemi për sa i përket ditës së zgjedhjeve. Mendoj se problemi më i madh janë njerëzit nga brenda. Kemi disa njerëz shumë të këqij. Kemi disa të sëmurë, të çmendur të majtë radikalë. Ata do ta minojnë vendin. Unë gjithmonë them se, ne kemi dy armiq. Ne kemi armikun e jashtëm dhe pastaj kemi armikun nga brenda. Dhe armiku nga brenda, për mendimin tim, është më i rrezikshëm se Kina, Rusia dhe të gjitha këto vende, sepse nëse keni një president të zgjuar, ai mund t’i trajtojë ato shumë lehtë”.
Trump hodhi poshtë çdo pretendim që votuesit e tij mund të krijonin kaos apo tensione.
Më herët kreu i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden ka paralajmëruar për trazira në SHBA nëse Donald Trump humbet zgjedhjet e nëntorit.
Ndërsa Kamala Harris paralajmëroi se veprimet e Trump mund të vënë në rrezik lirinë e njerëzve.
“Ai foli për armikun brenda vendit. Ai po thotë se konsideron çdo person i cili nuk e mbështet atë apo nuk i bindet vullnetit të tij një armik të vendit. Kjo është një çështje serioze. Ne e dimë se këdo të shënjestrojë sepse i ka sulmuar edhe më parë. Gazetarët , historitë e të cilëve ai nuk i pëlqen dhe zyrtarët e zgjedhjeve të cilët refuzuan të plotësonin vota ekstra për të.”
Ekipi i fushatës elektorale të Harris publikoi një spot të ri elektoral, të quajtur ‘Armiku nga Brenda’ e cila paraqet Trump duke përmendur vazhdimisht këtë frazë.