Pas disa orësh diskutime, mbledhja e Këshilli Politik, këtë herë edhe me praninë e kryeministri Edi Rama dhe demokratit Gazment Bardhi, përfundoi.
Rama tha se nuk është gjetur asnjë dakordësi mes palëve. Sipas tij, diskutimet duhet të vijojnë dhe u bëri thirrje opozitarëve që të lëshojnë pe sepse nuk mund t’i kenë të gjitha.
“Diskutim i gjatë, interesant. Ne nuk thamë ndonjë gjë të re. Kemi një qëndrim shumë të qartë. Ne jemi më të mëdhenjtë dhe janë dy palë më të vogla që i duan të gjitha për veten e tyre dhe nuk hapin rrugë. Por do mundohemi të punojmë dhe të bindim opozitën parlamentare që duhet të jetë më fleksibël në këtë proces. Mbase do të arrijmë që të kemi një mbështetje që të jetë e mjaftueshme. Problemi këtu është opozita parlamentare, nuk është një parti politike. Kanë një qëllim të përbashkët. Duhet të prevalojë arsyeja e thjeshtë që nuk mund t’i kesh të gjitha. Por duhet që edhe të tjerët të marrin diçka. Ne ishim gati të vazhdonim diskutimin pa ndërprerje, që nesër, përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare kërkuan kohë. Por ne kemi një kalendar që ka një kufij të caktuar që është fundi i këtij sesioni parlamentar. Do të shikojmë në proces, por besoj se diskutimi ishte pozitiv. Ne dëshirojmë të përfshijmë qytetarët në procesin e përcaktimit të atij që nesër do të jetë grupi ynë parlamentar”.
Rama shtoi se nga ana e socialistëve nuk mund të lëshohet më gjë sepse deri tani ka bërë kompromis për shumë gjëra.
Shefi i qeverisë theksoi se edhe për diskutimet ka një afat sepse deri në fund të korrikut kjo çështje duhet të ketë përfunduar që të kalojë edhe në Parlament.
“Duhet të çojmë deri në fund edhe angazhimin e nënshkruar deri më 5 qershor. Është një proces me dy korsi, ku stacioni është 30 korriku.
Unë shoh se në këtë rast është shumë më e rëndësishme përmbajtja e çështjes se e delegacioneve. Është zgjedhja e opozitës jashtëparlamentare të vijë e përfaqësuar me këdo që dëshiron. S’ka problem për mua, është njësoj me Bashën apo me Bardhin”, u shpreh Rama.