Aktualitet “Më tha nuk është djali yt”, dëshmia tronditëse e 39-vjeçarit që vrau...

“Më tha nuk është djali yt”, dëshmia tronditëse e 39-vjeçarit që vrau gruan: E mbyta me kabllon e karikuesit

Detaje të tjera tronditëse kanë dalë në dritë nga vrasja në Athinë, ku Alba Cenko u gjet e pajetë në papafingon e shtëpisë pasi u vra me çekiç nga bashkëshorti i saj, 39-vjeçari Kastriot Cenko.

Ky i fundit, vrau gruan e tij dhe e fshehu trupin në papafingo për një javë të tërë. 39-vjeçari pasi ka debatuar me viktimën e ka goditur me çekiç dhe më pas e ka mbytur me kabllon e karikuesit celular.

Më pas, autori e ka mbështjellë trupin me çarçafë dhe e ka vendosur në dollapin e tyre të dhomës së gjumit. Të nesërmen, e ka lëvizur trupin pasi e ka mbështjellë me qese plastike dhe e ka fshehur në papafingo.

Mësohet se në rrëfimin e tij, 39-vjeçari pretendon se e ka dëgjuar bashkëshorten e tij duke folur në telefon me një mashkull, të cilit i ka thënë do të largohej me djalin e tyre të rritur.

Sipas asaj që shkruan media greke “Zougla.gr”, Kastriot Cenko ka pretenduar se e ka kryer krimin pasi gruaja e tij i ka thënë se do të largohej me djalin e madh, për të cilin i ka deklaruar se nuk është fëmija e tij.

Dëshmia e 39-vjeçarit, Cenko: Teksa fëmijët flinin, diku rreth orës 01:30 u zgjova dhe pashë që gruaja nuk ishte afër meje. Ajo ishte në banjë duke folur në telefon. E dëgjova të thoshte se do të merrte djalin tonë të madh dhe do të largohej dhe një zë mashkulli u dëgjua në anën tjetër të linjës. I thashë të vinte në dhomë për të folur. E pyeta se kush ishte dhe ajo më tha se ishte askush dhe se po shikonte video. Pas pak ajo pranoi se po fliste me një burrë dhe se do të marrë fëmijën e madh dhe do të largohet. Më tha që nuk kam para.

E pyeta se pse do të marrë djalin tonë të madh dhe më tha që “nuk është fëmija yt” dhe shtoi se vetëm djalin e vogël e kishim bashkë. Në atë moment u hutova plotësisht dhe mora çekiçin dhe e godita në kokë. E godita një herë në majë të kokës dhe ajo ra menjëherë në shtrat. Nuk bëri fare zhurmë. Nuk e dija nëse kishte vdekur, por megjithatë mora një kabllo karikuesi që gjeta përpara, ia vura në qafë dhe e shtrëngova për ta mbytur. Për shkak se i rridhte gjak nga koka, i vura një çantë në kokë dhe e mbështolla”, citohet të ketë thënë 39-vjeçari.

Fëmijët e çiftit 9 dhe 12 vjeç ndodheshin në banesë teksa ndodhi krimi, por po flinin.