Olta Gixhari, e ftuar në podkastin e Mira Kazhanit, “Zë me Mirën” ka folur për disa nga përvojat e jetës së saj, duke nisur që nga komentet e njerëzve që i thoshin se nuk do të bëhej kurrë nënë, te “BBV”, si dhe tek urrejtja dhe komentet plot mllef që mori gjatë përvojës së saj.
Ky podkast e sjell Oltën në shumë dimensione të saj dhe aktorja nuk i ka kursyer edhe disa lot.
Aktorja u shpreh fillimisht se ajo është përballur shpesh me komente të tipit: “Nuk do bëhesh kurrë mama”, të cilat megjithëse i kalonte me buzëqeshje, sërish e lënduan.
“E kam parë veten mami, gjithmonë, sepse unë e dija brenda veten se si isha. Askush nuk më besonte se do të bëhesha mami, ma thoshin me vulgaritet. “Ti do të bëhesh mami? Jo, kurrë”. Edhe unë qeshja, ok, por më vriste shumë brenda vetes. Thoja: “Sa sipërfaqësorë që janë, se unë jam dhe shumë e ndjeshme”. Mëmësia është e vetmja gjë që mua më bën të mos fluturoj”.
Ajo tregoi se në kushte të tjera, nuk do i thoshte kurrë “po” një programi si “BBV”, por i duhej një shkëputje.
“Kisha nevojë (për pjesëmarrjen në “BBVA 2”). Është një emision që unë kurrë nuk do thoja “po”. Një njeri që mezi bën një intervistë, shfaqet në një reality shoë. Ka qenë një periudhë e çuditshme, se u bëra mama me plan. Unë hoqa dorë nga gjithçka, hoqa dorë nga teatri, hoqa dorë nga bizneset e mia”.
Olta rrëfeu gjithashtu se periudhën kur u zhvendos në Spanjë e kaloi jo mirë:
“Unë hoqa dorë nga gjithçka, hoqa dorë nga teatri, hoqa dorë nga bizneset e mia. Shkova të jetoja në Spanjë, pas pak kohësh isha një nënë me një bebe që qante 24 orë…Po shkalloja! Më falni, por ka qenë periudhë shumë e vështirë”, tha ajo e përlotur.
Më tej, shtoi: “Kisha nevojë për një revolucion, një shkëputje, nuk më mjaftojnë fjalët për të treguar se për çfarë kisha nevojë. Ishte ulërimë nga thellësia e shpirtit, se nga një tapet i kuq shkon në një shtëpi dhe nuk bën asgjë tjetër”.
Olta tha edhe se u përball me shumë urrejtje dhe se edhe familja e saj u cek nga kjo lukuni fjalësh:
“Nuk më gjykuan, më urryen. Familjarët e mi e kanë përjetuar dhe më vjen shumë keq për këtë. Turma ka gjykuar edhe Krishtin, e ka kryqëzuar. Unë nuk dua ta paralelizoj veten me Krishtin, nuk më shkon mendja, por jam në pozicion shumë të vështirë. Unë nuk jam njeri që dua me medoemos që të më duan të gjithë, edhe pak nuk ka problem fare. Unë e di që jam lehtësisht e keqkuptueshme. Ata që më duan, më duan fort. Ka njerëz që më kërkojnë ndjesë që më kanë urryer, (më thonë) se nuk më kanë kuptuar”.
Aktorja tha se bëri shumë bujë dhe se nëse do të kishte rastin ta ripërsëriste përvojën, do të bënte të njëjtën gjë.