Aktualitet Me veshje plastike e termometër, si do shkojmë te berberi dhe te...

Me veshje plastike e termometër, si do shkojmë te berberi dhe te dentisti

Pas dy muajsh, burrat e gratë nuk do të jenë më të detyruar të gjejnë forma alternative për t’u qethur, shkurtuar flokët apo shërbime të tjera estetike.

Nga kjo e hënë, qeveria u jep dritën jeshile berberëve e parukierëve, e bashkë me to edhe klinikave dentare e qendrave tregtare. Ndërsa vetëm një javë më vonë, më 18 maj, shqiptarët do të mund të pinë kafen e dëshiruar në ambientet e jashtme të bareve. Për të gjitha këto shërbime, ekspertët e qeverisë kanë bërë gati paketën e kushteve të rrepta të sigurisë që duhet të respektojnë bizneset për të vepruar. Në dijeni të tyre duhet të jenë dhe klientët, të cilët duhet të informohen paraprakisht për masat që duhet të marrin apo shërbimin që duhet të kërkojnë, bazuar protokollit bashkëngjitur shkrimit.

TE BERBERI ME MASKË

Që nga hyrja me qese plastike për këpucë e maskë në fytyrë e deri te vendi ku ulet personi që kërkon shërbim për flokët do të jetë tërësisht e mbuluar me materiale njëpërdorimshme, që sigurohen nga berberi/floktorja.

Edhe pse kanë më shumë se dy muaj pa punuar (ligjërisht), berberët e parukeritë duhet të furnizohen paraprakisht me mjete higjienizuese, përpara se të nisin punën më 11 maj. Për të shmangur radhët e pritjes, duhet prenotuar më parë te berberi. Ky i fundit duhet të riorganizojë ambientin e punës, duke siguruar distancën 2 metra mes klientëve.

Për shembull, në një ambient prej 40 metrash katrorë, nuk mund të qëndrojnë më shumë se katër persona (10 m për çdo klient). Mbajtja e maskës dhe higjienizuesi në hyrjedalje është e padiskutueshme në çdo moment, si nga berberi, ashtu edhe nga klientët. Në rastin e trajtimit të fytyrës, këshillohet sigurimi i distancës më të madhe të mundshme.

Peshqirët, gjithashtu këshillohet të jenë të paketuar dhe njëpërdorimësh. Klienti, nga ana e tij duhet të sigurohet që berberi ta ketë dezinfektuar mjetet e punës përpara shërbimit. Kusht për të funksionuar është dezinfektimi i ambientit, minimalisht 3 herë në ditë me mjetet e duhura.

KLINIKAT DENTARE

Për të marrë një shërbim stomatologjik duhet prentouar më parë, ashtu siç ka funksionuar edhe më herët. Risi në protokoll është triazhimi telefonik përpara takimit në klinikë, si dhe shmangia e përdorimit të aerosolit, shiringës apo procedurave invazive, duke i kufizuar vetëm në instrumentet minimale të dorës.

Çdokush që hyn në klinikë, përfshi këtu edhe personelin, duhet t’i matet temperatura, duke ndaluar hyrjen e atyre me 37.5. Veshjet e dentistit dhe mjetet mbrojtëse për pacientët vlejnë edhe në këtë rast. Përveç kontaktit fizik, në klinika nuk do të lejohen as përshëndetjet.

PROTOKOLLI I MASAVE PER TRAJTIM FLOKESH/ESTETIKE/TRAJTIME TRUPORE

Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment: doreza mbrojtëse, maska dhe higjienizues duarsh me mbi 60% alkool. Dezinfektimi i duarve kryhet menjëherë pas ardhjes në punë si para dhe pas çdo klienti që shërbehet.

Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment: sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve, si dhe kosha plehrash të mbyllur, të cilët duhen pastruar çdo ditë.

Personeli i punësuar dhe personat e tjerë klientë duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse, duke mbuluar hundën dhe gojën.

Klienti që kryen trajtime të fytyrës mund të mos mbajë maskë, por duhet të sigurohet distanca më e madhe e mundshme klient-ofrues shërbimi dhe koha të reduktohet në maksimum.

Në hyrje, jashtë ambientit, çdo klient pajiset me veshje plastike (qese) njëpërdorimshme për këpucët, të cilat hidhen në kosh në dalje.

Karriget, poltronat, krevatet etj., ku ofrohen shërbimet, duhet të vishen me mbështjellëse letre të tipit roll-on me një përdorim. Në mungesë të mbështjellëses, vendet e ofrimit të shërbimit duhet të dezinfektohen mirë për çdo klient.  Letra e përdorur griset dhe hidhet në kosh.

Peshqirët duhet të jenë të ambalazhuar/paketuar dhe të përdoren vetëm njëherë për çdo klient. Pas përdorimit hidhen në kosh të mbyllur të veçantë. Peshqirët duhen larë çdo ditë. Prekja e peshqirëve të papastër bëhet vetëm me doreza. Në hyrje dhe dalje, subjekti duhet të ofrojë produktin higjienizues të duarve.

Subjekti duhet të garantojë dhe respektojë në çdo moment distancën prej 2 metrash midis klientëve në çdo drejtim.

Subjekti shërben vetëm me prenotim online apo me telefon dhe nuk lejohet krijimi i radhëve të pritjes në brendësi të ambientit apo jashtë tij. Rekomandohet shmangia e parasë cash dhe ofrimi shërbimeve me pagesë me kartë krediti. Pas çdo veprimi me cash/karta krediti duhet dezinfektuar duart.

Subjekti duhet të kryejë dezinfektim të ambientit dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes, të paktën 3 herë në ditë. Çdo pajisje pune si gërshërë, makina qethëse, furça, krehër, pjastra, pajisje depiluese, kapëse plastike, mjete pune druri, metalike apo plastike etj., duhet dezinfektuar/sterilizuar për çdo klient, si dhe para e pas mbylljes së aktivitetit ditor.

PROTOKOLLI I MASAVE NË KLINIKA DENTARE

Administratori i subjektit klinikë dentare/përgjegjësi në detyrë mat temperaturën e punonjësve/administratorit apo çdo personi tjetër në hyrje dhe dalje me termometër infrared.

Asnjë person me temperaturë 37.5 nuk lejohet të hyjë në klinikë. Pavarësisht sa më sipër, personat e punësuar kryejnë çdo ditë vetëvlerësimin personal nëse kanë simptoma të COVID-19, sipas check-listës së miratuar.

Subjekti klinikë dentare duhet të sigurojë vazhdimisht mjetet e tij në çdo moment doreza mbrojtëse, maska dhe higjienizues duarsh me mbi 60% alkool.

Subjekti klinikë dentare duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve, si dhe kosha plehrash të mbyllur, të cilët duhen pastruar çdo ditë.

Personeli shëndetësor dentar/administratori/personat e tjerë, duhet të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse. Personeli shëndetësor dentar/administratori/personat e tjerë, sipas pozicionit dhe kategorisë së punës duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse, duke mbuluar hundën dhe gojën.

Në hyrje dhe dalje, subjekti duhet të ofrojë produktin higjienizues të duarve për personelin dhe këdo që hyn e del në klinikën dentare. Përqindja e substancës aktive duhet të jetë minimalisht 60% alkool.

Të gjithë subjektet klinika dentare duhet të kenë një komunikim paraprakisht me pacientët para trajtimit urgjent dentar.

Të triazhohen pacientët paraprakisht nëpërmjet telefonit për gjendjen dentare të pacientëve dhe më pas të përcaktohet takimi për në klinikën dentare. T`u jepen pacientëve udhëzime të hollësishme të kujdesit në shtëpi dhe çdo medikament të përshtatshëm farmaceutik kur vizitat e planifikuar vonohen në kohë.

Subjektet klinikë dentare kur kanë hapësira të ambientit u rekomandohet një xham (pexiglass) mbrojtës në hyrje te vendi i informacionit për klientët.

Subjektet klinikë dentare duhet të respektojnë masat e kontrollit në praktikat e punës, duke shmangur procedurat e gjenerimit të aerosolit kur është e mundur.

Subjektet klinikë dentare duhet të respektojnë masat e kontrollit në praktikat e punës, duke shmangur përdorimin e shiringës me ujë-ajër.

Subjektet klinikë dentare duhet të respektojnë masat e kontrollit në praktikat e punës, duke kryer procedura jo invazive/atraumatike duke përdorur vetëm instrumentet minimal të dorës.

Subjektet klinikë dentare duhet të respektojnë masat e kontrollit në praktikat e punës dhe të duhet të reduktojnë numrin e punonjësve dentarë gjatë procedurës së gjenerimit të aerosolit.

Subjektet klinikë dentare duhet të respektojnë masat e kontrollit në praktikat e punës, duke ndaluar shoqëruesit e pacientëve në klinikën dentare, përjashto rastet e prindërve me fëmijë apo personave me aftësi të kufizuar.

Gjatë procedurave invazive, punonjësit shëndetësorë dentarë duhet të vendosin MMP (Mjete Mbrojtëse Personale) sipas nivelit të riskut.

Subjektet klinikë dentare duhet të pastrojnë, autoklavojnë dhe dezinfektojnë të gjitha pajisjet me shumë përdorim, të përdorura për kujdesin e pacientëve.

Në asnjë rast nuk lejohet kontakti fizik mes punonjësve apo mes palëve të treta, përfshirë përshëndetjet.

Subjekti klinikë dentare duhet të kryejë dezinfektim të ambientit dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes, rekomandohet me shume se 2 herë në ditë.