Saimir Tahiri ka reaguar pas dënimit me burg nga Gjykata e Posaçme e cilëson vendimin si padrejtësi.
“Ju dua shumë të gjithëve! Më vjen keq që shkoi kështu. Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur kurrë ligjin, kam dashuruar çdo ditë të punës sime, jam i lumtur që kam bërë detyrën siç më mirë munda. Është thjesht padrejtësi!”, shkruan ai në rrjetet sociale.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u dënua pak më parë me 3.4 vite burg. Pas një kalvari seancash gjyqësore Apeli i GJKKO ka dënuar Tahirin me 5 vite burg, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar ai do të vuaj 3.4 vite.
Gjatë leximit të vendimit gjyqtari tha se provat e ofruara nga prokuroria konfirmojnë lidhjen e tij me grupin e Habilajve, i cili u mor me transportin e lëndëve narkotike nga Shqipëria në Itali.
Pas shpalljes së vendimit, ish-ministri do të shoqërohet në qeli.
Ministria e Drejtësisë tha se ish-ministri do të dërgohet në burgun nr.313 në Rr.Jordan Misja në Tiranë.