Pezullimi i Messit ka krijuar përplasje të mëdha në Francë. Shtypi ka dalë kundër argjentinasit, ka zëra për një ambient të trazuar në dhomën e zhveshjes së PSG-së, ndërsa mbështetësit e sulmuesit kërkojnë shpjegime. Aventura në Paris po përfundon në mënyrën më të keqe për yllin e futbollit botëror.
Dita pas pezullimit të Messit me 2 javë nga klubi, pasi ai shkoi në Arabi për çështje personale pa njoftuar, ka qenë më kaotike. PSG nuk e ka fituar ende titullin dhe ultrasit kanë vendosur të shkojnë para selisë së klubit.
Udhëtimi i Mesit në Arabi nuk ishte një lëvizje e mirë edhe politikisht. Mes udhëheqësve të Dohës dhe Riadit pati një afrim gjatë Botërorit, por këto dy vende mbeten të ndarë në disa pikëpamje. Dhe Leo kaloi në plan të dytë kontratën prej 40 milionë eurosh në sezon të garantuara nga emiri i Katarit për të promovuar turizmin në Arabinë Saudite, që i sjell 30 milionë në vit.
Gjithçka ndodhi në një moment delikat, një ditë pas humbjes që rihapi kampionatin. PSG ka toleruar më parë vonesat dhe kapriçot e lojtarëve të tjerë, edhe të atyre jo në nivelin e Messit, por tani situata ndryshon.
Nga e marta Messi është kthyer në simbol të një sezoni të dështuar, të paktën në sytë e tifozëve. Pas eliminimit nga Championsi, ata e vërshëllejnë sistematikisht Messin kur jepet formacioni. E duartrokasin pastaj, nëse shënon gol apo jep ndonjë asist. U prit si mbret në verën e 2021-shit, por tani është shumë afër largimit.
Shtypi në përgjithësi është kundër argjentinasit, e konsideron atë një dështim, si një lojtar që nuk sakrifikon. Vendimi për pezullimin e Messit për dy javë është marrë nga presidenti Al Khelaifi, që nuk e ka pritur mirë udhëtimin e sulmuesit në Arabi. Aq më tepër që trajneri Galtier nuk dinte asgjë.
Mungesa e argjentinasit ka shkaktuar pakënaqësi dhe në skuadër, duke krijuar tension për shkak të privilegjeve që kanë pak lojtarë. Me shumë mundësi, PSG e nis gjithçka nga zero në korrik, këtë herë pa Messin, sipas të gjitha gjasave.