Nga Edlira Gjoni
Kapja e medias është përqasje strategjike famëkeqe e përdorur nga politika dhe biznesi, nga autokratët, diktatorët, manipuluesit dhe kleptokratët në mbarë globin. Nuk është histori që ka nisur sot, por interneti e bën efektin e kapjes shumë më të vrullshëm dhe të frikshëm.
Sot, shumë familje shqiptare i zë shiu jashtë, apo pa punë, pa të ardhura, pa shpresë se do gjejnë punë, me tokë të zaptuar apo blerë të gënjyer (edhe nga shteti vetë): e në këtë dramë, media hedh valle amatoreske, por shpesh jo dashamirëse e akoma më shpesh, të dëmshme shumë.
Media ka interesa që nuk kujdeset më t’i fshehë: të vockla sa një bursë fëmije e të mëdha sa një koncesion disa-miliardësh. Ka lidhje me politikën, me paratë publike, me oligarkët, me krerë të institucioneve e qeverive ndër vite. Në treg ka media që nuk e dinë as vetë ku i kanë rrënjët, burimet e sekretet e zeza, paratë e kërkuara, ato të premtuara e ato të qarkulluara si fjalët në erë. Këto media në marrëdhënie intime me interesin politik e para-madh, raportojnë sot sipas oreksit e interesit të tyre ditor, kundër çdo parametri etik apo profesional.
Mediat e kapura nga interesat nuk janë më të lira, jo më të pretendosh të jenë të pavarura, cilësore apo me dorën në zemër për publikun. Media-biznes. Media-politikë. Media shërbyese e autokratëve që ata në këmbim, t’i shërbejnë asaj.
Disa nga kanalet kryesore televizive në vend e kanë humbur aftësinë të reflektojnë mbi ngjarjet e ta venë veten në rolin e publikut. Nuk i kërkojnë më llogari qeverisë. I kërkojnë vetëm para, pushtet, favor, tendera, koncesione me firma që iu kanë ndërruar emrat më shumë sesa qeveritë vetë.
Media të kapura nga qeveria e nga plutokratët që pasurinë e kanë vënë me politikë, ndërtim, tregti pa dogana, sekrete skandaloze, ose kombinim i të gjithave.
Efekti i kësaj kapjeje që nuk na shqitet nga sytë 24 orë në 24 është dhuratë e medias dixhitale, që ka zbehur rolin, fuqinë, vërtetësinë dhe besueshmërinë e lajmeve.
Dixhitalizimi që u prit me brohoritje ka ndryshuar tregun, mënyrën e konsumimit mediatik edhe median vetë. Mirë që iku sistemi analog, por bashkë me të mori fund i gjithë modeli i dikurshëm i funksionimit të medias: me burime, me profesionalizëm, me kohë në dispozicion, me lajme të mirë-menduara, me kronika e emisione që furnizonin një strategji, jo çdo rastësi. Media me mision!
Dixhitalizimi e ka bërë median biznes: të shpejtë e cilësore teknikisht, por e ka zhytur në terr nga ana profesionale dhe etike. E i ka shkulur shkallët e rezistencës, ndaj nuk rri dot pa u përdorur nga biznesi apo pushteti qeverisës.
Tregu sot nuk ka vend për profesionalizëm e interes qytetar, por vetëm për mbajtje krahu, klikime e politikë redaksionale klienteliste, që ka konsoliduar pushtetin e një numri të vogël mediumesh a platformash. Zotëruesit e tregut mediatik përfliten nga njëri-tjetri si oligarkë e përfitues kontratash të majme të parave publike nga të gjitha qeveritë. Oligarkë që blejnë sferën publike dixhitale, edhe nëse për median nuk kanë nevojë (a ide) as fillestare. Në këmbim të favoreve për bizneset e tyre të ndërtimit, naftës, tregtisë, shkëmbimit a transaksioneve të dyshimta, këto media ndërmarrin pa më të voglin shqetësim fushata dezinformuese, manipuluese e denigruese për publikun.
“Shfarosje e banorëve me Molotov” – shkruajnë oligarkët që mezi presin të vijë në pushtet e djathta.
“Shteti prish banesat e kompensuara deri në 150 milionë lekë” – gënjen në mes të ditës me dhunë media e oligarkëve që nga e majta nuk po dinë të numërojnë nga u vijnë koncesionet e favoret për shërbime. Shërbime që kurrë më parë nuk i kanë ofruar.
Po sot nuk ishte molotovi që ndau edhe një herë tjetër njerëzit. Ka ikur koha e terrorit me kallashnikovë e me molotovë! Është më e thjeshtë, më e shpejtë, më e kollajtë dhe më efektive ta kontrollosh, përçash e sundosh popullatën përmes lajmeve të tilla, e përmes medias së zellshme për të përhapur këndvështrime kaq të polarizuara, që i mësyjnë njerëzit kundër njëri-tjetrit.
Në komentet online të lajmeve të tilla, shqiptarët i janë vërsulur njëri-tjetrit më keq se me molotov: “Uzurpatorë, komunistë, shpellarë, mirë ua bënë, çeçenë, oligarkë, kokëpalarë, ik zhdukuni fare nga Shqipëria…” – i drejtohen komentuesit sho-shoqit poshtë lajmeve te sotme për përplasjet tek Astiri. Shpërthim urrejtje e ndasie e frikshme online që nuk e shërbeu policia, por politika, në shtëpinë si han pa porta të medias së vet.
Nuk është vetëm zelli. Secila nga mediat që ka ndikim, ka edhe para. Pronarët e aksionerët duan t’i ruajnë e t’i shtojnë ato, më shpejt se deri tani. Mënyrë të shpejtë pasurimi media ka vetëm një: të kapë për brirësh politikën, ose t’ia dhurojë asaj brirët e vet. Në gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri.
Mënyra si janë zhvilluar ngjarjet është e çuditshme, e trishtë dhe kundër-produktive për qytetarët: politika nuk ka nevojë fare ta korruptojë median, thjesht e blen atë. Ose, krijon median e saj dhe i shpërfill, duke i detyruar t’i blejnë përmbajtjen. Në këtë mënyrë, bëhen më të pasur e më të pushtetshëm edhe njerëzit e mediave, edhe politikanët. Por gazetarë në funksionin të qytetarit, nuk ngelen më! Ata që janë, të pavarur a në media më të vogla, nuk kanë arrijnë dot të kenë influencën e nevojshme në emër të të mirës së përbashkët!
E nëse kërkojmë rotacion e ndryshim sistemi, ndërrime mund të ëndërrojmë sa të duam. Edhe do ketë! Politikanë e gazetarë të thjeshtë mund të ikin plot, por të pasurit e të fuqishmit, kurrë!
Kush e ka kapur median? Si? Pse nuk kanë më frikë të gënjejnë? Incentivat që merr media për të informuar sipas interesit, e jo sipas vërtetësisë së plotë të ngjarjeve, e bën të vështirë bisedën për to, e akoma më të vështirë gjetjen e ndonjë zgjidhjeje reale.
Është naivitet të besosh se gazetarët e profesionistët do venë dorën në zemër e do mbajnë anën e profesionit e të qytetarëve. Nuk do bënin dot përpara! Tregu u dikton mbijetesën e pronarët duan të bëhen të pasur më shpejt sesa qytetarët, kështu që motivime idealiste, misione e ndjenja përgjegjshmërie nuk ka më!
Ka vetëm disa zëra që po mbyten, e po u zhdukën edhe ata, Shqipëria nuk do ketë më nevoje të blejë asnjë njësi të vetme molotovi. Mjafton të ketë në llogore median e kapur!