Mutacioni britanik mund të ketë prekur edhe Shqipërinë. Dyshimet hidhen nga një rast i zbuluar në Gjermani, ku një 22-vjeçare që ishte kthyer me avion në këtë vend nga Shqipëria ka rezultuar pozitive me variantin britanik të Covid-19.
Siç shkruan e përditshmja Frankfurter Allgemeine Zeitung, vajza u ishte nënshtruar testeve pasi kishte shfaqur shenja të lehta infeksioni. Identiteti i vajzës nuk bëhet i ditur nga mediat gjermane, teksa është izoluar në karantinë në rrethin e Taunusit të Epërm, një qytezë 20 kilometra në veri të Frankfurtit. 22-vjeçarja përbën rastin e parë të infektimit me mutacionin britanik të koronavirusit në këtë zonë.
Autoritetet shqiptare thonë se deri më tani nuk është konfirmuar asnjë rast infektimi me mutacionin britanik të Covid-19 në vendin tonë. Drejtorja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino tha se për verifikimin e këtyre rasteve dërgohen vazhdimisht mostra në institutin shëndetësor Sharite të Berlinit.
“Krahas punës së laboratorit me testet PCR do të vazhdojë puna për dërgimin e vazhdueshëm për dërgimin e mostrave për identifikimin e të gjitha varianteve të reja, jo vetëm të atij britanik”.
Simptomat dhe kohëzgjatja e infeksionit me variantin britanik janë të njëjta me të parin. Por ky mutacion ka veçorinë se është më ngjitës dhe përhapet më shpejt, duke ndikuar drejtpërdrejtë në mbingarkesën e spitaleve dhe rrjedhimisht, shtimin e vdekshmërisë.