Ish-policit Antonio Nazëraj i është refuzuar kërkesa për azil në Holandë. Në fillim atij iu lejua që të qëndronte, por tani ai dhe familja e tij pritet të dëbohen, raportojnë mediat e huaja.
Ish-polici ishte dëshmitar kyç për një rast ku flitej për trafik droge dhe korrupsion.
Një makinë një mbrëmje të ftohtë marsi do t’i ndryshonte krejtësisht papritur jetën ish-oficerit të policisë. Ai po punonte me kolegët duke bërë kontrolle në rrugë gjatë mesnatës, ku sipas tij: “Një makinë tip “Audi” i zi po ecte me shpejtësi. Kishte dy burra në makinë dhe ata ishin të dehur. Ata bërtitën dhe na thanë se duhet t’i linim të lirë”.
Por, policët i kishin ndaluar e më pas i kishin dërguan në stacionin e policisë në Fier. Ata kishin ndaluar vëllezërit Habilaj. Sipas medias holandeze “eenvandaag.avrotros.nl”, Habilajt ishin: “Kriminelë të njohur me një histori të përfshirjes së tyre në raste vrasjesh, zhvatjesh dhe trafikimin droge”.
“Më kërcënuan me vdekje, bërtitën dhe më thanë se kurrë nuk do ta harrojnë këtë”, vijoi më tej ish-polici.
Disa minuta më vonë oficerët e policisë marrin një telefonatë ku u thuhet: “Të ndaluarit duhet t’i lini të lirë bashkë me makinën “Audi”.
Nazëraj dhe shefi i tij Dritan Zagani bënë një raport për incidentin dhe filluan një hetim. Ata zbuluan se “Audi” ishte në emër të Ministrit të Brendshëm të asaj kohe Saimir Tahiri.
Kriminelët në makinën e ministrit?
Agjentët pothuajse nuk mundën ta besonin: “Mendova: Çfarë bëjnë këta kriminelë në makinën e ministrit? Vëllezërit Habilaj kishin një lidhje familjare të largët, ata ishin kushërinj të Tahirit”.
Pas disa ditësh, agjentët e dërgojnë raportin në zyrën qendrore në Tiranë me kërkesën për të bërë hulumtime të mëtejshme.
Tirana refuzon hetimet e mëtejshme dhe raporti i dërguar nga ana e oficerëve u zhduk brenda një jave.
Por, një vit më vonë tre agjentë u akuzuan për korrupsion se ata kishin pranuar shuma monetare prej rreth pesëdhjetë euro. Të tre agjentët e mohojnë, por janë të dënuar. Antonio është dënuar me 3 muaj burg dhe nuk është i sigurt për jetën e tij: “Më kanë kërcënuar dhe abuzuar disa herë”.
Lidhjet me mafien
Në vitin 2016, emri i ish-ministrit Tahiri shfaqej në një raport të mafias italiane. Policia e akuzon atë për trafik droge dhe korrupsion. Ai bashkëpunonte me kushërinjtë e tij Habilaj ku njëri prej tyre është ndaluar nga autoritetet italiane. Bëhet fjalë për Moisi Habilajn, i cili përdorte një anije për trafik droge, e cila gjithashtu ishte e regjistruar në emër të ish-ministrit.
Hetimet e kryera nga Italia tregojnë se nga zbardhja e tabulateve telefonike, banda e vëllëzërve Habilaj i kishte dhënë një shumë prej 25 mln euro ish-ministrit. Këto para dyshohet se Tahiri i kishte përdorur për fushatën zgjedhore.
Të tre agjentët e përfshirë në ndalimin e “Audi-t”, u thirrën për të dëshmuar në një hetimin penal të hapur për ish-ministrin. Avokatja holandeze e Antonios, Maartje Terpstra tha: “Deri më tani, gjithçka po bëhet për të parandaluar klientin tim të japë informacionet që ai ka. Por, duket se edhe Kryeministri po përpiqet ta parandalojë atë që të dëshmojë”.
Kryeministri Rama gjithashtu e ka komentuar rastin. Ai i quan “tradhëtarë” dhe “kriminelë me uniformë” tre agjentët. Që atëherë, agjentët ndihen të kërcënuar dhe të gjithë kanë ikur me familjet e tyre jashtë vendit.
Dy prej tyre kanë fituar azil në Zvicër, Antonio me gruan dhe vajzën e tij kërkoi azil në Holandë.
Familja fillimisht e fitoi të drejtën për azil në Holandë, por IND e apelon rastin. Antonio e humbi këtë të drejtë dhe tashmë ai pritet të dëbohet bashkë me familjen.
Deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj tha: “Jeta e Antonios dhe të familjes së tij është në rrezik. Ata janë të kërcënuar nga kriminelët dhe nga njerëzit rreth ish-ministrit Tahiri”.
Prindërit e Antonio jetojnë me frikë: “Çdo mëngjes shikoj nën makinë nëse ka ndonjë bombë”, thotë babai i tij. Nëna e tij shton: “Nëse ai kalon kufirin dhe vjen në vendin tonë, ata do ta vrasin, nuk do ta lejojnë të jetojë”.
Shkrimi u publikua ne median holandeze “EEN VANDAG”, linku i plotë (Kliko këtu)
Përshtati në shqip abcnews.al