Në mbledhjen e Komitetit Kombëtar të Rindërtimit, që po mbahet në Kryeministri nuk kanë munguar replikat dhe diskutimet.
Kryeministri Edi Rama nuk nguroi që edhe në këtë mbledhje t’i adresojë medias një pjesë të fajit për situatën e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit dhe panikun e shkaktuar tek njerëzit.
Sipas kryeministri, media me raportimet e saj ka bërë hata tek qytetarët dhe kjo është skandaloze, ndërsa për gazetarin institucionet e informimit nuk janë macja e zezë e kësaj historie, pasi sipas tij media është për të sjellë zërin e qytetarëve dhe jo të qeverisë.
Pjesë nga replikat:
Edi Rama: Mediat po bëjnë një hata. Po e fusin goditjen e njerëzve në një rrugë pa krye. Thonë sikur të gjitha godinat po bien dhe vazhdojnë. Shkalla e rrezikut është e kontrollueshme. Pjesa dërrmuese në Tiranë dhe Durrës janë ok. Janë të sigurta, por tek ai 1% duhet të shohim. Duhet një dopio vulë. Ne kemi një perandori nga mbrapa atë të perëndimit dhe se çfarë ka mbetur nga lindja.
Marin Mema: Media nuk është macja e zezë e kësaj historie. Po e kërkojmë fajin tek media. Media nuk është skandaloze, apo të etiketohet me përkufizime të tjera që më duken absurde, siç do sektor tjetër ka problem, por nuk do të thotë që ta anatemojmë. Nuk është për të sjellë zërin e qeverisë, por zërin e qytetarëve.
Edi Rama: Pak më tolerant me mendime e të tjerëve. Media është skandaloze dhe nuk ka diskutim. Këtu bëhet fjalë për një popull të tmerruar dhe ka një mijë mënyra dhe kënde për ta vënë kamerën dhe nëse ke sensibilitetin e momentin, është që njerëzit duhet ë fillojnë të marrin frymë.