Mbi 1 mijë policë janë përfshirë në një operacion në Bruksel kundër ‘Ndragheta-s dhe mafias shqiptare. Mediat shkruajnë se bëhet fjalë për një operacion të një madhësie që nuk shihej prej kohësh. Kjo pasi Belgjika është një nga portat hyrëse të kokainës në Europë dhe se vendi konsiderohet me një risk të lartë të përfshirjes së mafias.
Javën e kaluar u zhvillua operacioni i parë në Liezh, që u ndoq nga një tjetër në Antwerp të hënën, ndërsa të martën u zhvillua ai në kryeqytet. Në prangat e autoriteteve kanë rënë disa persona, ndërkohë që janë kryer deri në 130 kontrolle.
“Po shënjestrojmë trafikun e kokainës. Nuk është domosdoshmërisht një çështje sekuestrimi droge në sasi të larta, por shkatërrimin e një bande trafiku droge aktive në trafikun ndërkombëtar të kokainës”, tha zëdhënësi i Prokurorisë Federale belge, Eric Van Dyuse.
E rëndësishme për këtë operacion ka qenë dekriptimi i mesazheve të kriminelëve që i shkëmbenin nëpërmjet një rrjeti komunikimi që mendonin se ishte e sigurt. Në qendër të hetimit ka qenë trafiku i kokainës, që në Europë sipas mediave, menaxhohet kryesisht nga ‘Ndragheta dhe mafia shqiptare, të cilët kanë kontakte direkte me prodhuesit në Amerikën Latine dhe lehtësojnë shpërndarjen në Gjermani, Itali dhe Belgjikë.
Për vite me radhë, rrjetet kriminale kanë trafikuar me tonelata kokainën nga portet e Antwerp-it në Belgjikë, Hamburgu në Gjermani dhe Le Havre në Francë. Brukseli duket se shërben si qendër logjistike ku droga përpunohet në laboratorë dhe ruhet në ndërtesa të ndryshme, ndonjëherë edhe në zemër të qytetit, përpara se të shpërndahet në vendet e tjera.
Në operacionin në Antwerp, policia ka arrestuar 10 persona. 6 prej tyre kanë punuar më parë në port. Në Liezh, 27 persona janë arrestuar në lidhje me një sasi droge me vlerë 80 milionë Euro. Po ashtu gjatë operacioneve janë sekuestruar 8 armë zjarri, mes tyre 5 Kallashnikovë, 80 mijë Euro cash, celularë të enkriptuar, mjete, dhe bizhuteri me vlerë.
Mediat blege nga ana tjetër flasin për aleancat e forta mes klaneve kalabreze dhe ‘Ndragheta-s me mafian shqiptare. Kjo lidhje e fortë është përdorur sidomos për operacionet e trafikut të drogës nga Amerika Latine drejt Europës.